Gjermania tha sot se nuk do t’u bashkohet sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe përjashtoi mbështetjen e masave konkrete që synojnë ndryshimin e regjimit në vend, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm Johann Wadephul u tha gazetarëve në Berlin se ndërsa Gjermania shpreson për një të ardhme demokratike për Iranin, një ndryshim i tillë duhet të vijë nga vetë populli iranian.
“Gjermania nuk po merr pjesë në këtë luftë. Dhe kjo do të mbetet kështu”, tha Wadephul. “Ne gjithashtu nuk po marrim pjesë në asnjë masë konkrete për ndryshimin e regjimit në asnjë vend, përfshirë Iranin”, theksoi ai.
Politikani konservator tha se Gjermania mban kontakte me grupet opozitare iraniane dhe qëndron me popullin iranian kundër asaj që ai e quajti masa shtypëse të regjimit. Megjithatë, ai theksoi se Berlini nuk mund të diktojë të ardhmen politike të Iranit.
“Ne jemi të varur nga vetë populli iranian që në fund të fundit të jetë në një pozicion për të marrë fatin e tij në duart e veta dhe ndoshta për ta kapërcyer këtë regjim”, tha Wadephul i cili shtoi se “Por, për arsye të dukshme, nuk mund të ketë masa qeveritare nga Gjermania për këtë qëllim”.




