Gjermania thërret ambasadorin iranian për shkak të sulmit ndaj Izraelit

Gjermania ka thërritur sot ambasadorin e Iranit në shenjë proteste kundër sulmit ajror të Teheranit kundër Izraelit në fundjavë, transmeton Anadolu.

Zhvillimi u njoftua nga zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane Christian Wagner, në një deklaratë për mediat në Berlin.

Thirrja vjen pas telefonatës së së dielës mes ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe homologut të saj iranian Hossein Amir-Abdollahian, kur ajo i kërkoi Teheranit të ndalojë sulmet e tij ndaj Izraelit dhe të ndërmarrë hapa përshkallëzues në rajon.

Baerbock dënoi përsëri sulmin me dron dhe raketë të së shtunës ndaj Izraelit, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

“Ajo i bëri thirrje Iranit që të ndërpresë menjëherë çdo dhunë kundër Izraelit, të lirojë anijen me kontejnerë MSC Aries dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve”, shtohet në deklaratë.

Irani të shtunën kreu një sulm ajror ndaj Izraelit si hakmarrje për një sulm ajror të 1 prillit ndaj kompleksit të tij diplomatik në kryeqytetin sirian Damask. Siç u njoftua, Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa, pothuajse të gjitha të interceptuara nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit dhe aleatët e tij – SHBA-ja, Franca dhe Britania.

Ndërkohë, Christiane Hoffmann, zëvendëszëdhënëse e qeverisë gjermane, përsëriti nevojën për shpërshkallëzim midis Iranit dhe Izraelit.