Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul shprehu sot kujdes lidhur me një mision të NATO-s për Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se aleatët evropianë fillimisht kanë nevojë për më shumë qartësi mbi planet e SHBA-së dhe Izraelit për Iranin, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Wadephul tha se Gjermania do të përqendrohet në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe në ndjekjen e zgjidhjeve diplomatike për krizën.
“Ne presim që SHBA-ja dhe Izraeli të na informojnë, të na përfshijnë në atë që po bëjnë atje dhe të na tregojnë nëse këto qëllime janë arritur. Sapo të kemi një pamje të qartë të kësaj, besojmë se duhet të kalojmë në fazën tjetër, përkatësisht, përcaktimin e një arkitekture sigurie për të gjithë këtë rajon, së bashku me shtetet fqinje”, tha Wadephul.
Ai theksoi se krijimi i një kuadri të tillë në fund të fundit do të kërkonte dialog me Iranin, por pranoi se diskutime të tilla nuk janë në tryezë për momentin.
Kur u pyet për thirrjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump drejtuar aleatëve të NATO-s për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, Wadephul përsëriti qëndrimin e Berlinit se Gjermania nuk ka ndërmend të bashkohet me operacionet ushtarake në konflikt.
“Për të qenë i sinqertë, situata nuk ka ndryshuar fare që nga mbrëmë. Nuk shoh që NATO të ketë marrë ndonjë vendim në atë drejtim ose të mund të marrë përgjegjësinë për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ndodhte kështu, organet e NATO-s do ta trajtonin çështjen në përputhje me rrethanat”, shtoi ai.


