Gjuajtje me armë në Gllogjan të Deçanit, dyshohet për viktima

Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur sonte në Gllogjan të Deçanit, ku dy persona janë lënduar, ndërkaq dyshohet se dy të tjerë kanë humbur jetën.

Sipas informacioneve, me armë zjarri është gjuajtur në drejtim të një autobusi ku dyshohet se shoferi ka mbetur i vdekur dhe një vajzë rreth 16-vjeç.

Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Rreth orës 19:00, Policia është njoftuar se në fshatin Gllogjan ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi. Me këtë rast, Policia është në dijeni se dy persona kanë pësuar lëndime. Policia është në vend të ngjarjes dhe duke e hetuar rastin”, tha zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për Telegrafin se prokurorja kujdestare tashmë ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Prokurorja kujdestare e krimeve të rënda sapo ka marrë informacionin për gjuajtje me armë në një fshat të Deçanit ka dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë shkurt Nikçi.