Gjukanoviqi thotë se Mali i Zi është në “kalbje institucionale”

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, beson se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.

Ndonëse zgjedhjet e rregullta presidenciale e presin Malin e Zi në pranverën e vitit 2023, Gjukanoviqi kërkon që ato parlamentare të mbahen para atyre presidenciale.

Sipas tij, vendi është në “kalbje institucionale” dhe se janë të nevojshme zgjedhjet urgjente parlamentare.

“Kjo është një kalbje institucionale: qeveria ka humbur legjitimitetin e saj, parlamenti ruan homogjenitetin e 41 deputetëve për një temë të revanshizmit ndaj qeverisë së mëparshme. Një vend i tillë nuk është në gjendje të organizohet seriozisht në reformat e legjislacionit zgjedhor, integrimin evropian dhe për besimin e investitorëve”, ka thënë Gjukanoviqi në një intervistë për BBC-në në serbisht.