Gjykata detyron Trumpin të zhbllokojë përdoruesit kritikë në Twitter

Presidenti amerikan Trump ka zhbllokuar disa përdorues të tjerë në “Twitter”, pasi një gjykatëse federale vendosi gjatë muajit maj se, pengimi i njerëzve për ta ndjekur atë shkel të drejtat kushtetuese të individëve.

Gjykatësja Naomi Reice Buchwald vendosi më 23 maj në Manhattan se, komentet në llogarinë e presidentit dhe ato të zyrtarëve të tjerë qeveritarë janë forume publike dhe bllokimi i përdoruesve të tjerë në “Twitter” për shkak të pikëpamjeve të tyre shkelte të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes bazuar në Amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane.

“The Knight First Amendment Institute” nga Universiteti i Kolumbias i dërgoi më 10 gusht Departamentit të Drejtësisë një listë me 41 llogari që kishin mbetur të bllokuara nga llogaria e Trumpit (@RealDonaldTrump).

Shtatë përdorues që kishin ngritur padi, panë llogaritë e tyre të zhbllokoheshin në qershor. Ndërkohë, mes 41 llogarive të bllokuara ende përfshiheshin një producent kinematografie, një skenarist, një fotograf dhe një autor që kishin kritikuar presidentin Trump apo politikat e tij. Të paktën 20 prej tyre njoftuan përmes “Twitter”-it se Trump i kishte zhbllokuar gjatë së martës.

Gjithsesi, lista me 41 përdoruesit nuk ishte gjithëpërfshirëse e atyre që janë bllokuar nga Trump, Rosie D’Donnell, një komediane, shkroi orët e vona të së martës se llogaria e saj ishte ende e bllokuar. Shtëpia e Bardhë nuk reagoi aspak mbi këto zhvillime.