Gjykata izraelite miraton shembjen e 25 shtëpive palestineze në kampin e refugjatëve në Bregun Perëndimor

Një gjykatë izraelite ka miratuar prishjen e 25 ndërtesave të banimit në kampin e refugjatëve Nur Shams, në qytetin Tulkarem të Bregut Perëndimor, pavarësisht një padie nga pronarët palestinezë, tha sot një grup i të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu.

Qendra Ligjore për të Drejtat e Pakicës Arabe në Izrael (Adalah) tha se Gjykata e Lartë e Izraelit ka refuzuar padinë që sfidonte urdhrat ushtarakë për shembjen e 25 ndërtesave.

Sipas Adalah, gjykata e bazoi vendimin e saj në materiale të klasifikuara të paraqitura nga prokurorët e shtetit në bashkërendim me inteligjencën ushtarake, të cilat nuk iu bënë të ditura paditësve apo avokatëve të tyre dhe u vlerësuan si të mjaftueshme për të justifikuar prishjet.

Grupi i të drejtave tha se shteti gjithashtu pranoi se nuk ka nevojë urgjente për të kryer prishjet dhe se në zonë nuk është shënuar aktivitet luftarak për më shumë se një vit. Megjithatë, gjykata pranoi argumentin e ushtrisë dhe vendosi se komandantët ushtarakë kanë kompetenca të gjera në çështje të tilla dhe se ndërhyrja gjyqësore kufizohet në raste të jashtëzakonshme, të cilat, sipas saj, nuk vlejnë në këtë rast.

Gjykata vendosi që urdhrat e prishjes të mos zbatohen para 27 dhjetorit 2025, tha Adalah.

Gjatë seancave, Adalah paralajmëroi se vendimi do të thellojë zhvendosjen e detyruar, e ndaluar sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, duke theksuar se banorët janë civilë të mbrojtur dhe se prona e tyre mbrohet sipas të njëjtave standarde.

Adalah tha se kjo ishte padia e katërt që ka paraqitur muajt e fundit kundër urdhrave kolektivë të prishjes në kampet e refugjatëve në Jenin, Nur Shams dhe Tulkarem, të cilat të gjitha Gjykata e Lartë ka refuzuar t’i bllokojë, duke iu referuar autoritetit ushtarak.

Ushtria izraelite ka nisur më herët këtë vit operacione të zgjeruara ushtarake në kampet e refugjatëve palestinezë në veri të Bregut Perëndimor.

Izraeli ka intensifikuar bastisjet, prishjet e shtëpive, zhvendosjet dhe zgjerimin e vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, veprime që gjerësisht shihen si përgatitje për aneksimin formal të territorit të pushtuar.

Aneksimi i Bregut Perëndimor do t’i jepte praktikisht fund perspektivës për zgjidhje me dy shtete, të parashikuar në disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara.

Forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.103 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur gati 11.000 dhe kanë ndaluar rreth 21.000 që nga tetori 2023, sipas të dhënave palestineze.

Në një opinion historik në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm okupimin izraelit të territorit palestinez dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.