Gjykata liron nga paraburgimi shoferin që shkaktoi tragjedi në Gjilan, po ashtu edhe pronarin e kompanisë

Gjykata Themelore e Gjilanit, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të ndryshuar masën e paraburgimit për Mustafë Avdijajn dhe Vigan Tiganin.

Më 7 mars të këtij viti, Mustafë Avdija nga Peja, i cili po voziste kamionin e kompanisë “VEV Group”, kishte shkaktuar aksident në Gjilan, me ç’rast një person mbeti i vdekur dhe shumë të tjerë u lënduan, shkruan lajmi.net.

Mustafë Avdija dhe Vigan Tigani përgjegjësi i kompanisë “VEV Group”, që nga 8 marsi janë në paraburgim për shkak të këtij aksidenti.

Mirëpo, sot Gjykata Themelore ua ka ndryshuar masën e dënimit Avdijajt.

Me kërkesë të Prokurorisë, nga masa e paraburgimit, kjo gjykatë e ka zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Sabit Shkodra, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjilan.

“Kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka qenë për ndryshimin e masës, domethënë nga masa e paraburgimit, caktimi i masës së arrestit shtëpiak për dy të pandehurit M. A. dhe V. T”, ka deklaruar Shkodra për lajmi.net.

Ai ka thënë se të pandehurit do të qëndrojnë në masën e arrestit shtëpiak deri më 3 maj të këtij viti.

Ndryshe, Mustafë Avdija nga Peja dhe përgjegjësi i kompanisë, Vigan Tigani, po qëndronin në paraburgim që nga 8 marsi pas aksidentit që ndodhi në Gjilan nga ku mbeti i vdekur Qerim Çoçaj