Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), institucioni më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, do të nisë të hënën shqyrtimin e një çështjeje historike që akuzon Mianmarin për gjenocid ndaj pakicës myslimane Rohingya.
Seancat do të fillojnë në orën 09:00 dhe do të zgjasin rreth tre javë. Kjo është hera e parë pas më shumë se një dekade që GJND merr në shqyrtim të plotë një rast për gjenocid. Çështja është ngritur në vitin 2019 nga Gambia, pas ofensivës ushtarake të vitit 2017 që detyroi rreth 750 mijë Rohingë të largohen nga Mianmari drejt Bangladeshit.
Refugjatët kanë dëshmuar për vrasje masive, dhunë seksuale dhe djegie fshatrash. Një mision hetimor i OKB-së ka konstatuar se operacioni përfshinte “akte gjenocidi”, akuza që autoritetet e Mianmarit i kanë mohuar, duke i cilësuar veprimet si operacione kundër terrorizmit.
Në kampet e refugjatëve në Bangladesh, Rohingët kanë shprehur shpresë se çështja do të sjellë drejtësi dhe do të ndihmojë në shërimin e plagëve të thella të komunitetit të tyre. Aktivistë dhe organizata për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar nisjen e procesit si një hap historik drejt përgjegjësisë ndërkombëtare.
Ndërkohë, qeveria opozitare e Mianmarit në mërgim ka deklaruar se pranon juridiksionin e GJND-së dhe ka pranuar dështimet që, sipas saj, mundësuan krime të rënda kundër pakicave. Paralelisht, udhëheqësi i juntës ushtarake përballet edhe me një çështje të veçantë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për rolin e tij në persekutimin e Rohingëve. /mesazhi


