Gjykata Supreme e Izraelit ia rrëzon Netanyahut reformën gjyqësore

Gjykata Supreme e Izraelit ka rrëzuar një reformë të diskutueshme gjyqësore që shkaktoi protesta mbarëkombëtare në Izrael vitin e kaluar kundër Qeverisë së Benjamin Netanyahut, raporton “BBC”.

Ndryshimi do t’ia kishte kufizuar fuqinë Gjykatën Supreme në rrëzimin e ligjeve që i konsideron jokushtetuese.

Kritikët thonë se kjo do të kishte minuar rëndë demokracinë në vend dhe do të dobësonte sistemin gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës Supreme për ta rrëzuar ligjin e miratuar nga Qeveria në vitin 2023, i pason disa muajve trazira të brendshme.

Në korrik, Qeveria miratoi një ligj me të cilin ia hiqte fuqinë Gjykatës Supreme dhe gjykatave më të ulëta në Izrael për t’i anuluar vendimet e Qeverisë që i konsideronte “jashtëzakonisht të paarsyeshme”.

Ligji shkaktoi zemërimi dhe ndarje të gjerë, duke shtyrë qindra e mijëra protestues të dilnin nëpër rrugë duke kërkuar anulimin e reformave dhe dorëheqjen e kryeministrit Netanyahu.

Në atë kohë, qindra rezervistë ushtarakë – përfshirë pilotë të forcave ajrore – kërcënuan se do të refuzonin të paraqiteshin për shërbim, gjë që çoi në paralajmërime se kjo mund të dëmtonte aftësitë ushtarake të Izraelit.

Në një deklaratë të Gjykatës Supreme u tha se 8 nga 15 gjyqtarët vendosën kundër ligjit, duke shtuar se ai do të kishte shkaktuar “dëm të rëndë dhe të paprecedentë në karakteristikat bazë të shtetit të Izraelit si shtet demokratik”.

Ministri i Drejtësisë i Izraelit dhe hartuesi i ligjit Yariv Levin kritikoi gjyqtarët për “marrjen në duart e tyre të gjitha pushteteve” dhe e ka quajtur vendimin për të rrëzuar ligjin si jodemokratik. /koha