Gjykatat do të mundë t’i suspendojnë e shkarkojnë zyrtarët publikë

Gjykatat në Kosovë planifikohet të pajisen me kompetencën për të suspenduar, e madje edhe për të shkarkuar zyrtarë publikë që janë në procedurë ose që dënohen për vepra penale të ndërlidhura me abuzimin me detyrën zyrtare. E tillë rrethanë do të krijohet nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo politikë është bërë e ditur, në një draft të një Koncept-dokumenti për suspendimin dhe largimin nga puna të zyrtarëve publikë. Aty theksohet se masat e reja do të aplikohen ndaj atyre që konsumojnë vepra penale të korrupsionit apo keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

E, nëpërmjet masës së suspendimit, synohet të parandalohet keqpërdorimi i mëtutjeshëm i autoritetit dhe njëkohësisht të mos u lihet mundësia zyrtarëve të ndikojnë në prova, element i cili konsiderohet të jetë kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme. /KOHA/