Globalizimi… përplasja e qytetërimeve dhe zhveshja kulturore

Globalizimi, në thelb të tij, është një “përpjekje e drejtuar dhe një angazhim i madh për planifikimin dhe financimin e shndërrimit të asaj që është lokale në diçka globale”. Ai përshkruan një proces të vazhdueshëm që shprehet në fjalën “Globalization”, por njëkohësisht nënkupton edhe disa nga rezultatet që synohen të arrihen përmes këtij globalizimi, rezultate që dëshirohen pa marrë parasysh dallimet ndërmjet feve, kulturave, vlerave dhe normave etike.

Globalizimi kulturor, në të vërtetë, është një nga mekanizmat e përplasjes së qytetërimeve, ose e asaj që quhet “përplasja e qytetërimeve”, dhe synon drejtpërdrejt të fshijë gjurmët e kulturave dhe qytetërimeve autentike të të tjerëve, për t’i zëvendësuar ato me kulturën perëndimore të shkëputur nga rrënjët dhe identiteti i saj.

Kjo formë e globalizimit, në kontekstin e përplasjes së qytetërimeve, synon veçanërisht familjen myslimane – duke punuar për shpërbërjen e saj – dhe rininë myslimane, duke e hutuar, larguar dhe shkëputur nga origjina islame, kultura, çështjet e saj dhe nga umeti islam. Ajo synon ta dobësojë atë në aspektin besimor dhe intelektual, ta bëjë të dyshojë në bindjet fetare dhe identitetin kulturor, dhe ta tërheqë – përmes rrjeteve sociale dhe të tjera – drejt humbjes së kohës dhe angazhimit me çështje të pavlera e lajme të parëndësishme, në mënyrë që të bëhet me një besim të dobët, me vlera të lëkundura, i paqëndrueshëm nga brenda dhe i gatshëm të dorëzohet dhe të udhëhiqet pa rezistencë.

Ky është, pikërisht, rreziku që i kanoset umetit mysliman, shteteve dhe popujve në përgjithësi. Sepse plogështia mendore dhe zhveshja kulturore që e godet individin, në të vërtetë, e sëmur popullin dhe e dobëson fuqinë e kombeve.

Zhveshja kulturore – si në formën ashtu edhe në përmbajtjen e saj – bie ndesh me vlerat e trashëguara dhe me zakonet e rrënjosura në shoqëri. Ajo çon në shfaqjen e vlerave, zakoneve dhe sjelljeve të huaja për shoqërinë tonë, që nuk përputhen me atë çfarë është e zakonshme dhe nuk kanë asnjë lidhje me trashëgiminë tonë qytetëruese.

Në thelb, kjo është një mahnitje ndaj zakoneve dhe kulturave të huaja që janë të imponuara mbi ne, të cilat nuk kanë asnjë lidhje emocionale apo etike me shoqërinë tonë arabe dhe myslimane. E gjithë kjo nuk prodhon tjetër veçse një krijesë të shpërfytyruar e të shkëputur nga rrënjët e saj, një krijesë që “as nuk arriti të kalojë ndonjë tokë, e as nuk ruajti kurriz për të ecur më tej”

Ne jemi një shoqëri myslimane, të cilën Allahu e ka nderuar me Islamin dhe e ka fisnikëruar me Sheriatin Islam. Ai na ka sqaruar rrugën e drejtë përmes Kuranit Famëlartë dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij. Ndërkaq zhveshja kulturore që po përjetojmë dhe po e shohim në shoqëritë tona është një nga sëmundjet që duhet t’i bëjmë ballë me vendosmëri. Kjo nuk mund të arrihet veçse me një kthim të sinqertë te rrënjët – te rrënjët e kulturës sonë islame – dhe me largim nga kultura perëndimore, madje me luftimin e saj në çdo mënyrë të mundshme.

Në ballë të kësaj përpjekjeje duhet të qëndrojnë prindërit dhe nënat, mjetet e informimit publik, shkollat, xhamitë, si dhe të afërmit, fqinjët dhe lidhjet familjare. Nuk ka fjalë më të fortë sesa ajo që vjen nga dikush që ka lidhje të afërta gjaku, farefisnie apo njohjeje të afërt me të rinjtë dhe prindërit e tyre, sepse në këto raste ka më shumë hapësirë për urtësi dhe këshillim të mirë, dhe për arritje që nuk mund t’i ketë as një thirrës kalimtar, as një mësues i jashtëm.

Zhveshja kulturore është përhapur mes nesh dhe ka zënë vend aq shumë, sa që kemi braktisur një pjesë të madhe të metodës së fesë sonë me gjithë butësinë dhe dritën e saj, dhe kemi ndjekur rrugët e mohimit që ndjekin hebrenjtë dhe të krishterët. I kemi imituar ata në veprat e ndaluara, në sjelljet e ulëta, në risitë e shpikura, në zakonet e shkatërruara dhe në sjelljet e çuditshme dhe të sëmura.

Ata hëngrën kamatën, dhe edhe ne e hëngrëm pa ndjerë ndonjë keqardhje. Ata na ftuan në çdo gjë që bie ndesh me natyrshmërinë e pastër dhe me ligjet hyjnore, dhe ne nuk e kundërshtuam veprimin e tyre, përkundrazi, vepruam njësoj si ata.

Dhe ajo që është edhe më keq është fakti se disa prej nesh – nga mesi ynë – i mbrojnë ata, dhe i justifikojnë ndyrësitë dhe degjenerimin e tyre me arsyetime të kota, me argumente të dobëta dhe me mashtrime të zbuluara. Këta janë më të rrezikshmit për shoqëritë tona, për familjet tona dhe për të rinjtë tanë, andaj duhet të kemi shumë kujdes ndaj tyre.

Ajo që është për të ardhur keq është se ata që janë mashtruar nga Perëndimi, mendojnë se është Perëndimi ai që solli zhvillimin e gjithanshëm në vendet tona – ato vende që i pushtoi me forcën e armëve – por në të vërtetë ai ka plaçkitur pasuritë tona për të zhvilluar vendet e veta, e jo për të na bërë dobi neve.

I Dërguari i Allahut (a.s) na ka paralajmëruar për zhveshjen kulturore dhe për imitimin e jobesimtarëve. Ai (a.s) ka thënë: “Do të ndiqni rrugët e atyre që ishin para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, dhe krah pas krahu, madje edhe nëse do të futeshin në vrimën e hardhucës, edhe ju do të futeshit.” Ne thamë: “O i Dërguar i Allahut, a e ke fjalët për hebrenjtë dhe të krishterët?” Ai (a.s) tha: “E kush tjetër?”[1]

Në këtë hadith, Profeti (a.s) na tregon një nga shenjat e profetësisë së tij dhe një dëshmi të vërtetësisë së mesazhit që ka sjellë, duke na informuar për diçka të padukshme që do të ndodhë pas tij, dhe realisht kjo ka ndodhur ashtu siç e ka parashikuar ai, realitet të cilin ne e shohim dhe e përjetojmë sot. Kjo tregon qartë se ky njoftim i është shpallur nga Allahu i Lartësuar.

Një shembull i zhveshjes kulturore që bie ndesh me fenë tonë islame dhe me sheriatin islam, është ajo që quhet “joga”, e cila na ka ardhur në kontekstin e luftës së ideve dhe pushtimit kulturor të drejtuar e të planifikuar ndaj shoqërive tona myslimane. Kjo praktikë mbështetet në shirk ndaj Allahut dhe mosbesim ndaj Zotit të botëve, duke e bërë “perëndinë Shiva” – që sipas tyre është “zoti i jogës” dhe “jogu i parë” – si “zot” dhe duke e konsideruar vetveten si pasqyrim i kësaj “hyjnie” në qenien tënde, sikur ti vetë të jesh “Shiva”, me qëllim që të arrish shëndet dhe lumturi… e kështu me radhë. S’ka fuqi e as forcë përveçse tek Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm. Allahu na mjafton, dhe Ai është mbrojtësi më i mirë. Po, kjo po ndodh, ndërkohë që prindërit – baballarët dhe nënat – janë në gjumë, të pavetëdijshëm për rreziqet që u rrinë përsipër fëmijëve të tyre.

Globalizimi civilizues synon forcimin e zhveshjes kulturore te myslimanët përmes një sërë mekanizmash që ndikojnë drejtpërdrejt në identitetin e tyre kulturor dhe fetar. Zhveshja kulturore, në këtë kontekst, nënkupton gërryerjen ose tërheqjen nga vlerat dhe praktikat kulturore autoktone në favor të vlerave dhe kulturave të huaja, dhe kjo manifestohet dukshëm në përhapjen e kulturës perëndimore, pasi globalizimi civilizues e shpërndan këtë kulturë në mënyrë të gjerë përmes mediave, internetit dhe produkteve teknologjike, gjë që çon në tjetërsimin e individit nga kultura e vet origjinale.

Shumë prej myslimanëve mund të ekspozohen ndaj ndikimeve të kësaj kulture perëndimore në fusha të ndryshme si stili i jetesës, moda, gjuha dhe mënyra e të menduarit, gjë që i çon ata drejt imitimit të këtyre vlerave dhe zakoneve.

Globalizimi civilizues gjithashtu synon ndryshimin e modeleve shoqërore tradicionale në shoqërinë islame, siç janë marrëdhëniet familjare, rolet gjinore dhe praktikat fetare, duke u përpjekur të imponojë disa koncepte të reja që mund të jenë në kontrast me vlerat fetare dhe shoqërore të komuniteteve myslimane.

Po ashtu, globalizimi ekonomik dhe tregtar ka një rol të rëndësishëm në forcimin e zhveshjes kulturore, duke ndikuar mënyrën se si njerëzit jetojnë, konsumojnë dhe mendojnë.

Me rritjen e ndikimit të këtij globalizimi civilizues, myslimanët përballen me një sfidë të madhe: ruajtjen e identitetit të tyre kulturor dhe fetar përballë këtij ndikimi të jashtëm që po ushtron gjithnjë e më shumë presion mbi bindjet dhe zakonet e tyre.

Zhveshja kulturore është përhapur dhe është shtrirë si kancer në shoqëritë tona arabe dhe islame. Ajo ushtrohet – në forma dhe mënyra të ndryshme – nga shumë njerëz me besim të shtrembëruar, besim të dobët, dhe pa edukatë. Fatkeqësisht, disa prej këtyre praktikave arrijnë deri në nivelin e shirkut dhe mohimit të Zotit të botëve, dhe ajo që është edhe më për të ardhur keq është se të rinjtë i kryejnë këto veprime duke menduar – gabimisht – se janë pjesë e Islamit, ndërkohë që Islami është i pastër dhe i pafajshëm ndaj tyre.

Ata nuk e kuptojnë se po humbasin fenë dhe jetën e tyre të përjetshme, duke u larguar nga besimi, rrënjët, zakonet, traditat dhe morali i tyre, që janë ndërtuar mbi themelet dhe parimet e fesë sonë të pastër. Në vend të kësaj, ata kapen pas sipërfaqësores së kulturave të huaja dhe civilizimeve të rrënuara, të cilat nuk janë të dobishme as për fenë dhe as për jetën e përditshme.

Në përfundim, duhet të theksohet se konflikti në botën e sotme, pas Luftës së Ftohtë, është një konflikt tërësisht kulturor dhe intelektual, dhe qëllimi i tij i drejtpërdrejtë është individi mysliman, sidomos gruaja dhe të rinjtë, si dhe familja myslimane dhe shoqëria islame në tërësi.

Fuqia e një shteti matet me aftësinë e tij për të mbrojtur qytetarët nga zhveshja kulturore, dhe gjithashtu me aftësinë për të ruajtur sigurinë e tij mendore, kulturore dhe fetare.

Autore: Hisate Es Sulejti

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Buhariu dhe Muslimi.