Gra palestineze kanë përshkruar përvoja të rënda dhe traumatike gjatë kalimit në pikën kufitare Rafah, në kthimin e tyre nga Egjipti drejt Gazës, pas rihapjes së pjesshme të këtij kalimi.
Sipas dëshmive, gratë dhe fëmijët që u lejuan të hynin në Gaza u ndanë nga familjarët e tyre, u prangosën, u mbuluan sytë dhe u morën në pyetje për orë të tëra nga ushtria izraelite, nën kërcënime dhe presion psikologjik.
Një nga gratë tregoi se ushtarët izraelitë ua konfiskuan ushqimin dhe sendet personale, duke i lejuar të mbanin vetëm një çantë. Ajo tha se u mor në pyetje për arsye politike dhe u kërcënua me ndalim, ndërsa përpjekjet për ta ndarë nga fëmijët i përshkroi si veçanërisht traumatike.
“Pas tre orësh marrjeje në pyetje nën kërcënim, më në fund na hipën në autobus. Vetëm pas ndërhyrjes së OKB-së arritëm të shkojmë në Spitalin Nasser dhe të ribashkohemi me familjet tona,” tha ajo.
Një tjetër grua, Huda Abu Abed, 56 vjeçe, e cilësoi kalimin në Rafah si “një udhëtim tmerri, poshtërimi dhe shtypjeje”.
Sipas burimeve palestineze dhe egjiptiane, rreth 50 persona pritej të hynin në Gaza të hënën, por deri në mbrëmje vetëm 12 persona – tre gra dhe nëntë fëmijë – u lejuan të kalonin. Ndërkohë, nga dhjetëra pacientë që prisnin të largoheshin nga Gaza për trajtim urgjent mjekësor, vetëm pesë pacientë me shtatë shoqërues arritën të kalonin në Egjipt.
Të martën, edhe 16 pacientë të tjerë palestinezë u lejuan të kalonin për trajtim jashtë Gazës. Këto shifra janë shumë më të ulëta se numri i premtuar prej 50 personash në ditë për kalim në të dy drejtimet.
Gazetarët në terren raportojnë se nuk ka shpjegime të qarta për vonesat dhe kufizimet në Rafah, ndërsa rreth 20 mijë palestinezë në Gaza vazhdojnë të presin për trajtim urgjent mjekësor jashtë vendit. /mesazhi








