Grabitje e armatosur në Ferizaj, dyshohet për vjedhje të mbi 30 mijë eurove

Sot në mesditë në një këmbimore në rrugën “Sali Qeku” në Ferizaj ka ndodhur një grabitje e armatosur.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka nisur punën për kapjen e të dyshuarit.

“Me datën 27.03.2024 rreth orës 12:20 kemi pranuar një informacion se në një këmbimore, e cila gjendet ne rrugën” Sali Qeku” në Ferizaj, dyshohet se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit ( pistolet) arrinë të marrë (grabitë)një shumë të caktuar të parave dhe të largohet në drejtim të panjohur. Menjëherë ekipe të policisë, policë të rendit, hetues të stacionit, si dhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit e kësaj ngjarje.

Për të gjitha këto veprime është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Në momentin e grabitjes ka qenë duke punuar një punëtor, i moshës 30 vjeçar dhe nuk raportohet për lëndime.

Dyshohet se janë grabitur rreth 30 mijë euro

Për informata tjera do të njoftoheni me kohë” ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.