Greqi, “skandalit të përgjimeve i shtohen emra të rinj”

Në Greqi emra të rinj u janë shtuar emrave që dyshohet se u janë “përgjuar” telefonat me programin spiun “Predator”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në listën e re të publikuar nga gazeta “Documento” në mesin e atyre për të cilët pretendohet se janë përgjuar me programin spiun janë përfshirë shumë emra të tillë si ish kreu i Policisë së Greqisë, Michalis Karamalakis, prokurorja përgjegjëse për Shërbimin Informativ Grek, Vasiliki Vlachou, ministrja e Arsimit dhe Çështjeve Fetare, Niki Kerameus dhe zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Giannis Oikonomou.

Zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Oikonomou në një deklaratë ka mohuar pretendimet dhe ka mbrojtur idenë se këto pretendime po hetohen nga gjyqësori.

Shtypi grek ka bërë të ditur se delegacioni përkatës i Parlamentit do të mblidhet ditën e hënë për të diskutuar pretendimet në lidhje me skandalin e përgjimeve.

Gazeta “Documento” në artikujt e saj të publikuara më parë pretendonte se janë përgjuar shumë ministra, ish-ministra, politikanë dhe gazetarë përfshirë të tillë si ish-kryeministri Antonis Samaras, ish-ministrat për mbrojtjen e qytetarëve, Michalis Chrisochoidis dhe Olga Gerovasili, ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, ministrin e Zhvillimit dhe Investimeve, Adonis Georgiadis.