Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gruaja që e bën me turp kryeministrin tonë…

Gruaja që e bën me turp kryeministrin tonë…

Inga Ruginienė

Iku për 10 muaj nga pushteti, Rama nuk po lëviz as pas 13 vite skandalesh

Lituania na dha dje një leksion të pastër të funksionimit të demokracisë evropiane. Kryeministrja Inga Ruginienė paraqiti dorëheqjen, duke çuar në rënien e qeverisë së saj pas vetëm 10 muajsh në pushtet.

Shkak u bë një krizë politike e brendshme, e provokuar nga qëndrimet e partisë së ekstremit të djathtë në qeveri, gjë që shtyu socialdemokratët të kërkonin një shumicë të re parlamentare. Në vend që të zvarriste krizën apo të bënte kompromise parimore për të shpëtuar karrigen, Ruginienė hapi rrugën.

Presidenti Gitanas Nausėda lëvizi menjëherë duke propozuar liderin e Partisë Socialdemokrate, Mindaugas Sinkevičius, për formimin e kabinetit të ri. Në këtë model evropian, sapo koalicioni humb harmoninë, ekzekutivi tërhiqet pa hezitim dhe i jep mundësi vendit për një zgjidhje të re institucionale.

Ky standard perëndimor krijon një kontrast të skajshëm, pothuajse dramatik, me realitetin politik në Shqipëri nën drejtimin e Edi Ramës, i cili numëron plot 13 vite në pushtet.

Përgjatë këtij rrugëtimi më shumë se njëdekadash, Shqipëria nuk ka kaluar thjesht kriza të brendshme koalicioni si ajo e Lituanisë, por ka përjetuar një seri skandalesh madhore korrupsioni që kanë prekur drejtpërdrejt nivelet më të larta të qeverisjes, nga afera e incinatorëve, dosjet e sterilizimit, e deri te arrestimet dhe hetimet e zv.kryeministrave, ministrave dhe kryebashkiakëve të tij.

Përveç korrupsionit galopant, vendi ka kaluar kriza të rënda politike: djegie mandatesh nga opozita, bojkote të gjata parlamentare dhe protesta masive qytetare.

Nëse në Lituani mjaftoi një krizë e vetme mes palëve që qeveria të rrëzohej brenda 10 muajve, në Shqipëri asnjë skandal apo krizë, pavarësisht përmasave, nuk ka prodhuar marrje të përgjegjësisë politike nga kreu i ekzekutivit.

Rama ka ndërtuar një fortesë hermetike ku pushteti mbrohet me çdo kusht. Strategjia e tij bazohet në përdorimin e një makinerie të fuqishme propagande për të relativizuar skandale që në BE do të shkërmoqnin qeveri të tëra brenda natës, duke e amnistuar gjithmonë veten me narrativën e “përgjegjësisë individuale” të bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë.

Kjo analogji nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur. Ndërsa në vendet e BE-së si Lituania dorëheqja është një mjet legjitim për të mbrojtur sistemin dhe parimet, në Shqipërinë e Ramës pushteti trajtohet si qëllim në vetvete.

Ky krahasim dëshmon se hendeku midis nesh dhe familjes evropiane nuk është thjesht procedural, por buron pikërisht nga kjo mungesë e thellë e ndjenjës së turpit dhe llogaridhënies përpara qytetarëve. \tesheshi