Grupet e ekstremit të djathtë do ta mbajnë marshimin kontrovers në Kuds më 15 qershor

Kabineti i sigurisë së Izraelit njoftoi se parada me valëvitjen e flamurit e planifikuar nga grupet e ekstremit të djathtë në Kudsin Lindor të okupuar do të mbahet më 15 qershor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën me shkrim, nga kabineti thonë se itinerari i marshimit do të përcaktohet në marrëveshje midis policisë dhe organizatorëve.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu rëndësinë e arritjes së një konsensusi të gjerë mbi marshimin me flamur.

Grupet izraelite të ekstremit të djathtë kërkuan më herët që marshimi me flamur të kalonte përmes Portës së Damaskut të Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor të okupuar.

Disa zyrtarë të sigurisë dhe ushtrisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz, paralajmëruan kundër lejimit të marshimit nga frika e përshkallëzimit të situatës me palestinezët.

Marshimi ishte planifikuar fillimisht për 10 maj për të shënuar atë që izraelitët e quajnë “Dita e bashkimit të Kudsit”, duke iu referuar okupimit izraelit të qytetit në vitin 1967, por u anulua për shkak të përshkallëzimit të tensioneve që çuan në 11 ditë luftime midis Izraelit dhe fraksioneve të rezistencës palestineze në Gaza. /aa