Grupet palestineze thirrje për përgjigje të përbashkët ndaj operacioneve të ushtrisë së Izraelit – VIDEO

Grupet palestineze kërkuan një “përgjigje të përbashkët” ndaj Izraelit, duke deklaruar se “rezistenca nuk do të ndalet” në përgjigje të vrasjes së 6 palestinezëve në operacionin ushtarak të kryer nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Grupet politike palestineze bënë deklarata me shkrim pasi forcat izraelite vranë 6 palestinezë dhe plagosën 33 tjerë në Nablus.

Në një deklaratë me shkrim, Ismail Haniyeh, kreu i Byrosë Politike të Hamasit, deklaroi se “viktimat vetëm do të nxisin kryengritjen popullore në Bregun Perëndimor dhe se forcat pushtuese do të pendohen për krimet e kryera”.

Tariq al-Silmi, zëdhënës i Lëvizjes Xhihad Islamik, tha se “për të luftuar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve të Izraelit në Nablus kërkohet qëndrim i bashkuar kombëtar”.

Duke u shprehur se gjaku i atyre që humbën jetën nuk do të shkojë dëm, Silmi tha se “terrori dhe sulmet nuk mund ta ndalin rezistencën e popullit palestinez për të mbrojtur tokat dhe vlerat e tij të shenjta”.

Fronti Popullor Demokratik për Çlirimin e Palestinës theksoi se “gjaku i popullit palestinez nuk do të jetë një kartë në kutitë e votimit të Izraelit”.

Në deklaratën e saj, FDHKC bëri thirrje për “rritje të rezistencës kundër forcave pushtuese dhe kolonëve hebrenj”.

Komitetet Palestineze të Rezistencës gjithashtu në një deklaratë thanë se rezistenca do të vazhdojë të forcohet.

Në deklaratë, forcave të rezistencës iu kërkua që të përgjigjen menjëherë ndaj krimeve të Izraelit dhe të organizojnë operacione dhe goditje të kualifikuara në përgjigje të atentatit në Nablus.

Lëvizja palestineze Al-Ahrar po ashtu deklaroi se “krimet e forcave pushtuese nuk mund të ndalojnë luftën dhe rezistencën e popullit”.

Lëvizja deklaroi gjithashtu se grupi që e quan veten “Strofulla e Luanëve” në Palestinë shqetëson sistemin ushtarak dhe të sigurisë të Izraelit.

– Deklarata nga grupet palestineze

Zemërimi mbizotëroi në Bregun Perëndimor dhe Gaza pasi 6 palestinezë u vranë në një operacion ushtarak nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor. Shumë grupe dhe qarqe studentore bënë njoftime për grevë.

Në një deklaratë me shkrim të bërë nga “Forcat Kombëtare dhe Islamike” në qytetet e Bregut Perëndimor, thuhet se “do të kryhet një goditje gjithëpërfshirëse” dhe se “tensionet do të përshkallëzohen në pikat e kontaktit me ushtrinë pushtuese dhe vendbanimet hebraike”.

Sindikata e Mësuesve Palestinezë njoftoi se Ministria e Arsimit, shkollat ​​dhe drejtoritë shkuan në grevë.

Rrethet universitare në Bregun Perëndimor kërkuan gjithashtu mobilizim për të sulmuar pikat e kontaktit me forcat izraelite.

Sindikata e Avokatëve Palestinezë njoftoi se puna në të gjitha gjykatat është pezulluar për shkak të zisë për ata që humbën jetën.

Grupet palestineze në Rripin e Gazës deklaruan gjithashtu një grevë masive për të protestuar ndaj ngjarjeve në Nablus.

Khalid al-Batash, një nga drejtorët e Lëvizjes së Xhihadit Islamik, në konferencën për shtyp që mbajti pas takimit urgjent në Gaza tha se, “Ne po shpallim zi dhe grevë gjithëpërfshirëse në të gjithë Rripin e Gazës, nga mesdita deri në fund të ditës”.

“Gjithashtu, gjatë takimit, ne vendosëm të ftojmë palestinezët të dalin në rrugë pas namazit të akshamit për të mbështetur palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Kuds”, tha Batash.

Gjashtë palestinezë u vranë dhe 33 u plagosën në operacionin e ushtarëve izraelitë kundër grupit të armatosur “Strofulla e Luanëve” në qytetin e Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Presidenca palestineze i ka përshkruar operacionet e Izraelit në Nablus si “krime lufte”. Në deklaratën e presidencës të transmetuar në televizionin zyrtar palestinez, thuhet se sulmi u dënua ashpër si një “krim lufte” dhe se qeveria izraelite mbanë përgjegjësi për pasojat.

– “Strofulla e Luanëve” me qendër në Nablus

Në Palestinë, grupi i armatosur që e quan veten “Strofulla e Luanëve” u shfaq për herë të parë në një paradë ushtarake në qytetin e vjetër të Nablusit në fillim të shtatorit.

Raportohet se në grup ka anëtarë nga fraksione të ndryshme palestineze.

Sipas lajmeve të mediave izraelite, shumica e grupit përbëhet nga njerëz të armatosur të moshës 18-24 vjeç. Grupi shpjegon qëllimin e tij si mbrojtjen e Nablusit dhe rrethinave të saj nga ushtarët izraelitë.

Një ushtar izraelit u vra në një sulm të armatosur nga anëtarët e “Strofullës së Luanëve” më 11 tetor. Grupi kishte marrë më parë përgjegjësinë për pesë sulme të armatosura të veçanta kundër ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj.

Që nga kjo datë, ushtria izraelite kishte kufizuar hyrjen dhe daljen në Nablus dhe rrethoi qytetin.

Në deklaratën e tij më 13 tetor, ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, tha se ata do të “eliminojnë” grupin e quajtur “Strofulla e Luanëve” dhe se ata kishin rritur punën e tyre të inteligjencës në rajon.

Forcat izraelite të sigurisë vranë Tamir al-Keylani, një anëtar i grupit “Strofulla e Luanëve”, në qytetin e Nablus më 23 tetor, duke përdorur një mjet shpërthyes.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Izraelit, Yair Lapid, njoftoi se Vedi al-Havah, lideri i grupit “Strofulla e Luanëve”, u vra në qytetin e pushtuar të Nablusit në Bregun Perëndimor.