Guterres dhe Michel përshëndesin armëpushimin e vendosur midis Izraelit dhe Hamasit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres dhe kreu i Këshillit Evropian (BE) Charles Michel mirëpritën armëpushimin e arritur midis Izraelit dhe Hamasit.

Në prononcimin e bërë në selinë e OKB-së pas vendosjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit Sekretari Guterres tha: “Unë jam i kënaqur me armëpushimin e vendosur pas 11 ditësh përplasjesh vdekjeprurëse midis Gazës dhe Izraelit. U bëj thirrje palëve të zbatojnë armëpushimin.”

Duke iu referuar përpjekjeve të Egjiptit dhe Katarit në arritjen e armëpushimit, Guterres gjithashtu kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të punojë me OKB-në për të rindërtuar dhe rimëkëmbur popullin dhe institucionet palestineze.

“Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë kanë një përgjegjësi përtej rivendosjes së qetësisë në fillimin e një dialogu serioz”, tha Guterres, duke shtuar se OKB-ja ka bërë thirrje për një kthim në negociatat kuptimplota për një zgjidhje me dy shtete me aktorët ndërkombëtarë dhe rajonalë, duke përfshirë Katërshen e Lindjes së Mesme të përbërë nga OKB-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), BE-ja dhe Rusia.

Kreu i Këshillit Evropian Charles Michel gjithashtu tha në mediat sociale pas njoftimit të armëpushimit se “Mirëpret armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit, i cili i dha fund luftimeve 11 ditore”.

Michel tha se nuk duhet humbur mundësia për paqe dhe siguri.

Marrëveshja e armëpushimit e arritur mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi në orën 2:00 të premtën me kohën lokale.

Që nga 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza. /trt