Guterres: Pasoja katastrofike në rast të një konflikti në Ukrainë

Antonio Guterres

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres gjatë fjalimit të hapjes së Konferencës së Sigurisë në Mynih paralajmëroi për rrezikun e konfliktit në Ukrainë, duke thënë se kjo ishte koha e duhur për të ulur tensionet.

“Me një përqendrim të forcave ruse rreth Ukrainës, unë jam thellësisht i shqetësuar për tensionet e rritura dhe shtimin e spekulimeve për një konflikt ushtarak në Evropë. Unë ende mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Por nëse ndodh, do të ishte katastrofike”, tha ai.

“Më pyesin shpesh nëse jemi në një Luftë të re të Ftohtë. Përgjigja ime është se kërcënimi ndaj sigurisë globale tani është më kompleks dhe ndoshta më i lartë se në atë kohë”, tha ai.

“Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, kishte mekanizma që u mundësonin protagonistëve të llogaritnin rreziqet dhe të përdornin mjete secrete komunikimi për të parandaluar krizat. Sot, shumë prej atyre sistemeve nuk ekzistojnë dhe shumica e personave të trajnuar për t’i përdorur ato nuk janë më këtu me ne”, tha Guterres.

Përpara fjalimit të Guterres, kryetari i konferencës Wolfgang Ischinger e përshkroi edicionin e këtij viti si konferencën e vetme më të rëndësishme gjatë 14 viteve të tij në krye të takimit. “Bota u përball me një valë në rritje të krizave reciprokisht përforcuese”, tha ai.

Ischinger tha se i vinte keq që përfaqësuesit rusë nuk ishin në konferencë ndërsa mirëpriti pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. /atsh