Nga ana gjuhësore, fjala “hasen” ka kuptimin: “i mirë, i duhur, i bukur”
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith hasen” përkufizohet me fjalët:
“Hadithi që transmetohet me varg të pandërprerë, me transmetues të drejtë nga fillimi i vargut deri në fund të tij – por ndonjëri prej tyre nuk ka përpikmërinë e duhur – nuk ka mospërputhje mes transmetuesve dhe nuk ka shkaqe dobësie të fshehta”
Disa dijetarë thonë, se nëse një transmetues nuk ka përpikmërinë e duhur – megjithëse është i besueshëm, – dhe sjell një hadith që është në kundërshtim me ajetet apo hadithet e tjera, atëherë hadithi i tij refuzohet.
Imam Dhehebiu e përkufizon hadithin hasen me fjalët: “Hadithi, transmetuesit e të cilit kanë shpëtuar nga çdo dobësi”.
Shembull i hadithit hasen:
Imam Ahmedi thotë: Na ka treguar Afani, i cili ka thënë: Na ka treguar Shu`be, i cili ka thënë: Më ka rrëfyer Sad ibn Ibrahmi, i cili transmeton nga Mabed Xhuhenij, se Muauija (r.a) tregonte shpeshherë, apo thoshte në hutbet e Xhumasë, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, e thellon në dituritë e fesë. Pasuria është e ëmbël dhe jeshile [mashtruese]. Kush e merr me të drejtë apo ashtu siç duhet, i jepet begati në të. Ruhuni nga lavdërimet, pasi ato janë therje [shkatërrim]”.
Hadithi plotëson katër kushte të hadithit sahih, mirëpo ka debate për njërin prej transmetuesve – Mabed Xhuheniun. Ai është i sinqertë dhe i besueshëm në vetvete, por akuzohet se është nga të parët që ka folur për çështjen e Kaderit (duke debatuar për këtë çështje). Sidoqoftë ai nuk akuzohet për besueshmëri në hadith, por për bidatin që ka kryer. Rrjedhimisht ky hadith bie nga grada “sahih” dhe vlerësohet me gradën “hasen”.
Hadith hasen është argument njësoj si hadithi sahih edhe pse nuk është në një gradë me të.
Libra që përmbajnë hadithe të pranuara
Librat e katër suneneve të njohura dhe suneni i Daramiut përmbajnë shumë hadithe të pranuara, mirëpo hadithe të tilla gjenden edhe në Sahihun e Buhariut, Sahihun e Muslimit dhe në përmbledhjet e tjera të hadithit.
Hadithi hasen li gajrihi – hadithi I pranuar për shkak të dëshmive përforcuese
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith hasen ligajrihi” përkufizohet me këto fjalë: “Hadithi që ka dobësi në vargun e tij, mirëpo kjo dobësi e transmetuesit nuk ndodh për shkak se ai akuzohet për shthurje, apo se është gënjeshtar, por për shkak se është i shkujdesur apo jo i përpiktë gjatë transmetimit, apo transmeton gjëra që nuk i kanë transmetuar, transmetues më të besueshëm se ai, apo ka kujtesë të dobët, apo ia cilëson hadithet të Dëguarit të Allahut (a.s) pa përmendur sahabiun”.
Një hadith i ngjashëm transmetohet edhe me vargje të tjera, të cilat mund të jenë të barabarta me këtë varg apo edhe më të forta. Përderisa një hadith të tillë nuk e pranojmë për shkak të shkaqeve të përmendura më lart, atëherë mundësia e gabimit të transmetuesit apo pasaktësisë së tij është e mundshme.
Për këtë arsye, duhet kërkuar një shkak që sqaron besueshmërinë apo gabimin e transmetuesit, por nga vargje të tjera dhe jo nga vargu në fjalë.
Nëse gjejmë një transmetim që përputhet me hadithin në fjalë dhe kemi përputhje mes transmetimeve, atëherë i jepet përparësi besueshmërisë së transmetuesit dhe hadithi vlerësohet “hasen ligajrihi”.
Nëse gjejmë një transmetim tjetër, i cili është në kundërshtim me hadithin që po studiojmë dhe për këtë gabim dëshmon transmetuesi i vargut tjetër, apo nëse hadithit nuk i gjendet ndonjë dëshmi përforcuese – qoftë tekst apo varg – , atëherë gjykojmë se hadithi është i refuzuar apo i dobët dhe në këtë rast hadithi nuk mund të quhet “hasen ligajrihi”.
Shembull i hadithit hasen li gajrihi:
Tirmidhiu thotë: “Na ka treguar Muhamed ibn Beshari, i cili thotë: Na ka treguar Jahja ibn Saidi, Abdurrahman ibn Mehdi dhe Muhamed ibn Xhafer, të cilët thonë: Na ka treguar Shu`be, i cili transmeton nga Asim ibn Ubejdullah, i cili thotë: Kam dëgjuar Abdullah ibn Amir ibn Rrabia, i cili transmeton nga babai i tij, se një grua nga fisi Benu Fezara u martua me një burrë, duke pranuar si mehër një palë këpucë. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “A pranon si mehër për veten dhe pasurinë tënde këto këpucë”? Ajo tha: “Po”. I Dërguari i Allahut (a.s) e lejoi këtë gjë”.
Ibn Maxheh thotë: Na ka treguar Ebu Umer Darir dhe Henad ibn Siri, të cilët kanë thënë: na ka treguar Uekia, i cili transmeton nga Asim ibn Ubejdullah, ky transmeton nga Abdullah ibn Amir Rabia, ndërsa ky i fundit transmeton, se babai i tij ka thënë: “Një burrë nga fisi Benu Fezara u martua me një grua, duke i dhënë një palë këpucë si mehër. I Dërguari i Allahut (a.s) e miratoi këtë lloj martese”.
Problemi i të dy vargjeve të hadithit është Asim ibn Ubejdullah ibn Asim Adeui. Asimi është i dobët (në hadith), për shkak se ka kujtesë shumë të dobët, mirëpo Tirmidhiu e vlerëson hadithin të pranuar, për shkak se ai është transmetuar edhe me një varg tjetër. Prandaj në bazë të vargut tjetër, hadithi vlerësohet “hasen ligajrihi”
Lind pyetja: “A mund të vlerësohet një hadith si hasen ligajrihi, kur teksti i hadithit përforcohet nga një ajet kuranor, apo fakt shkencor, apo ka gjetur zbatim, apo është konkretizuar në jetën e përditshme”? Mendimi më i drejtë është, se hadithi nuk vlerësohet i tillë për këto shkaqe, por thuhet: “Vargu I hadithit është i dobët, ndërsa domethënia e tij është e vërtetë”.
Thënia e Tirmidhiut: “hadith hasen sahih (i pranuar dhe i vërtetë)”
Tirmidhiu dallohet në Sunenin e tij, se i vlerëson hadithet si të vërteta, të pranuara, apo të dobëta. Mirëpo ai shpeshherë përmend termin: “Hasen Sahih”. Pra sipas këtij termi, hadithi ka dy cilësi: hasen dhe sahih. Dijetarët kanë mospajtime rreth asaj që Tirmidhiu ka pasur për qëllimi me këtë term. Mendimi më i pranuar në mesin e dijetarëve është, se hadithi në fjalë ka një varg të pranuar dhe një varg tjetër të vërtetë, ose vargu është i pranuar, ndërsa teksti është i vërtetë.
Autor: Rushit Musallari








