Nga bukuritë e Islamit dhe nga lehtësimet që ai u solli njerëzve, është fakti se Allahu nuk u ndaloi njerëzve asgjë, pa u dhënë në vend të saj diçka më të mirë, që e zëvendëson dhe u mjafton plotësisht, ashtu siç e ka shpjeguar këtë më së miri imam Ibn Kajjimi (r.h).
Allahu ua ndaloi atyre kërkimin e fatit me shigjeta, por ua zëvendësoi me duan e istihares (lutjen për zgjedhje dhe udhëzim).
Ua ndaloi kamatën, por ua zëvendësoi me tregtinë e ndershme dhe fitimprurëse.
Ua ndaloi bixhozin, por ua zëvendësoi me garat e dobishme për fenë, si ato me kuaj, deve dhe shigjeta.
Ua ndaloi mëndafshin (për burrat), por ua zëvendësoi me lloje të ndryshme veshjesh të bukura nga leshi, liri dhe pambuku.
Ua ndaloi imoralitetin, por ua zëvendësoi me martesën hallall.
Ua ndaloi pijet dehëse, por ua zëvendësoi me pije të shijshme dhe të dobishme për shpirtin dhe trupin.
Ua ndaloi gjërat e ndyra nga ushqimet, por ua zëvendësoi me ushqime të mira dhe të pastra.
E kështu me radhë … nëse i ndjekim të gjitha dispozitat e Islamit, do të shohim se Allahu i Madhëruar qoftë Ai, nuk ua ka ngushtuar robërve të Tij në asnjë aspekt, pa ua hapur një portë tjetër të së njëjtës natyrë. Vërtet, Ai nuk dëshiron për robërit e Tij vështirësi, mundim apo ngarkesë, por dëshiron lehtësi, mirësi, udhëzim dhe mëshirë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshiron t’ju sqarojë (rrugën e drejtë) dhe t’ju udhëzojë në rrugët e atyre që kanë qenë para jush dhe të pranojë pendimin tuaj. Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë. Allahu dëshiron të pranojë pendimin tuaj, por ata që ndjekin epshet e tyre dëshirojnë që ju të shmangeni shumë larg (nga e vërteta). Allahu dëshiron t’ju lehtësojë, sepse njeriu është krijuar i dobët.”[1]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Nisa: 26-28.








