Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hamasi dënon urdhrin e deputetit izraelit për ndalimin e ezanit në xhamitë

Hamasi dënon urdhrin e deputetit izraelit për ndalimin e ezanit në xhamitë

Hamasi ka dënuar ashpër një direktivë të re të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për ndalimin e ezanit në xhamitë brenda Izraelit, duke e quajtur këtë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një provokim të hapur ndaj ndjenjave të myslimanëve.

Në një deklaratë të publikuar dje, Hamasi paralajmëroi për pasojat e rënda që mund të sjellin veprimet e Ben-Gvir-it, duke theksuar se kjo masë është pjesë e një serie shkeljesh në rritje kundër palestinezëve.

“Ne i refuzojmë fuqishëm këto politika pushtuese dhe këtë luftë të egër fetare që synon adhurimin, ritualet dhe vendet e shenjta, në shpërfillje të plotë të të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e vendeve të shenjta dhe të drejtave fetare e historike,” thuhet në deklaratë.

Hamasi theksoi se sulmet e vazhdueshme nga autoritetet pushtuese izraelite kundër palestinezëve dhe vendeve të tyre të shenjta, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria izraelite, do të ndezin valë zemërimi dhe trazirash popullore.

“Ne u bëjmë thirrje njerëzve tanë brenda territoreve të pushtuara [Izrael] që të angazhohen në të gjitha format e veprimit popullor dhe kombëtar për të mbrojtur xhamitë dhe vendet e shenjta, dhe të dërgojnë një mesazh të qartë për këdo që guxon të shkelë të drejtat tona historike dhe fetare,” thuhet më tej.

Sipas gazetës Haaretz, Ben-Gvir thirri krerët e komiteteve të policisë izraelite në një takim të veçantë disa ditë më parë dhe u kërkoi atyre të marrin masa të rrepta kundër asaj që ai e quajti “zhurmë” nga ezani i xhamive në qytetet arabe dhe ato bregdetare.

Gjatë takimit, Ben-Gvir kritikoi ashpër drejtuesit e policisë për atë që ai e cilësoi si dështim për të trajtuar çështjen, duke u thënë: “Ju kam emëruar që të zbatoni politikën time”.

Ai e përshkroi ezanin si një fenomen që duhet trajtuar dhe i kërkoi policisë të përgjigjet ndaj ankesave të izraelitëve për volumin e lartë të thirrjes për lutje në xhami. /mesazhi