Hamasi thotë se ka marrë përgjigjen e Izraelit mbi shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin

Khalil al-Hayya

Grupi palestinez i rezistencës Hamasi njoftoi sot se ka marrë përgjigjen zyrtare të Izraelit ndaj një propozimi për shkëmbim pengjesh dhe armëpushimi që i dërgoi Egjiptit dhe Katarit më 13 prill, transmeton Anadolu.

“Hamasi mori përgjigjen zyrtare të Izraelit ndaj propozimit të lëvizjes dërguar ndërmjetësuesve, Egjiptit dhe Katarit, më 13 prill”, tha Khalil al-Hayya, nënkryetari i grupit në Rripin e Gazës dhe kreu i Zyrës së Marrëdhënieve Arabe dhe Islame.

“Lëvizja do ta shqyrtojë këtë propozim dhe pas përfundimit do t’ua dorëzojë përgjigjen e saj ndërmjetësuesve”, shtoi al-Hayya.

Izraeli ka vrarë më shumë se 34.300 palestinezë që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se u vranë rreth 1.200 izraelitë dhe u morën rreth 250 pengje.

Në një marrëveshje të mëparshme në nëntor u liruan 81 izraelitë dhe 24 të huaj në këmbim të 240 palestinezëve, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetur izraelitë.

Konflikti ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Thirrjet globale për një armëpushim janë rritur ndërsa lufta ka hyrë në muajin e saj të shtatë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në janar nxori një vendim të përkohshëm që urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.