Haradinaj akuzonte Thaçin për dialogun me serbinë, tash me bekimim niset për Bruksel (Video)

Kundërshtoi ashpër dialogun që po zhvillonte presidenti Hashim Thaçi në Bruksel.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj me “bekimin” e Thaçit u nis për Bruksel, ku pritet të jetë pjesë e Këshillit të Stabilizim Asociimit Kosovë-BE.

Madje Haradinaj besohet se do takohet edhe me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq.

“Para nisjes në Bruksel për takimin e radhës të Këshillit të Stabilizim Asociimit Kosovë-BE zhvillova edhe një bashkëbisedim me Presidentin e vendit Hashim Thaçi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ për rrugën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Por cili ishte qëndrimi i Haradinajt para se të ishte kryeministër.

“Serbisë i duhet vënë kusht zbatimi i marrëveshjeve dhe masa e reciprocitetit. Mendojmë se dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër, ne kemi një qëllim në marrëdhëniet me Serbinë që është njohja reciproke dhe nëse ndodh dialogu që nuk jemi kundër dialogut, nuk mundet që të vazhdojë logjika e deritashme në dialog, ku vërtetë është biseduar për temat e brendshme të Kosovës. Por nuk është respektuar reciprociteti dhe nuk është respektuar fare fakti që Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur prej shumë vendeve të botës”, deklaronte Haradinaj në korrik të këtij viti.

Po ashtu Haradinaj theksonte se nuk mund të krijohet asociacioni i komunave serbe në atë formë si është arritur në vitin 2013.

“Nuk mund ta zbatojmë këtë marrëveshje, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se ajo marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese të Kosovës, tani meqenëse ka një ndërhyrje të tillë të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet të jemi të disiplinuar ta zbatojmë kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta jonë ka paraparë mundësinë e organizimit të asociacioneve që mund të jenë organe vetëm koordinuese, por jo vendimmarrëse”, deklaronte Haradinaj pak para se të bëhej kryeministër i vendit.

Madje në kundërshtim të marrëveshjes për asociacionin pat organizuar edhe protesta me partnerin e atëhershëm, Vetëvendosjen.

E përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se pret që faza e re e dialogut Beograd-Prishtinë të jetë e suksesshme.

Pas takimit me kryeministren serbe, Ana Brnabiq dhe Komisionerin Evropian, Johanes Hahn, Mogherini nuk ka dashur të thotë asgjë në lidhje me atë se do të mund të nënshkruhet ligjërisht marrëveshje detyruese Beograd-Prishtinë mbi normalizimin e marrëdhënieve, por theksoi se do të dialogohet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, dhe në veçanti marrëveshjen për energjinë.

Mogherini dhe Brnabiq theksuan se rruga e Serbisë në Bashkimin Evropian arrihet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke shtuar se dialogu i brendshëm për Kosovën është i një rëndësie të veçantë.