Haradinaj i bie pishman, dorëzon në Kushtetuese kërkesën për interpretimin e dorëheqjes

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Ai përmes një postimi në Facebook, thotë se qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Sot kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do të vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj.

Në të njëjtën kohë, i bëjë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.