Haradinaj i kundërpërgjigjet Fajonit: Si t’iu besojmë evropianëve për viza

Raportuesja e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, sot ka deklaruar se taksa po ndikon në këtë proces.

Raportuesja e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë për lajmi.net se vendosja e taksës po e rrezikon edhe liberalizimin e vizave.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se e kanë të vështirë ti besojnë Bashkimit Evropian, pasi që siç tha ai, BE-ja ka kërkuar kushte në vazhdimësi për Kosovën.

“Tani qysh me i besue evropianëve sepse një herë na thanë dialogun, tash na thonë taksën, ku me ditë çka na thonë më tutje. Është bërë vështirë që t’i besohet atyre sepse është e vërtetë kjo që thotë zonja në fjalë, pra është problem”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, arsyeja e vonimit të liberalizmit të vizave është për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian dhe se sipas tij, pavarësisht kësaj, Kosova është duke punuar në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Ju e dini zonja Mogherini, shefat e kësaj zonje kanë ardhur këtu dhe na kanë thënë kryejeni këtë se e keni liberalizimin. Megjithatë ne po punojmë rreth kësaj teme, pra në shumë drejtime. Tani presidencën e BE-së e ka Rumania është pozitive sa i përket kësaj teme, pastaj e merr Finlanda. Tani i kanë disa detyra në Parlament, por nuk po hy në elaborim të hollësishëm, por jemi në temë. Mbajmë shumë shpresë që do të vijë dita. Ne na kanë thënë në të kaluarën megjithatë kjo nuk vjen me automatizëm menjëherë pas kryerjes së kushteve se Evropa i ka proceset e veta të brendshme dhe ne jemi shqyrtuar se kjo vonesë është për shkak të zgjedhjeve që i kanë evropianët, pra më 26 maj”, deklaroi Haradinaj.