Haradinaj, Mimoza Kusarit-Lilës: Nuk di të kërcej si ti para Gaddafit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu përgjigj akuzave të deputetes Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kur të vjen me materialet për 100 ditë dhe punën që po kryhet, do ta shohin që kanë qenë në ëndrra.

Haradinaj tha se po flet një zëvendësministre, ministre e Tregtisë dhe kryetare e Komunës që nuk mbahet mend për asgjë.

Në vitin 2011, një delegacion 128-anëtarësh, ishte nisur me mision gjoja lobimi në Libi. Gjithçka ishte organizuar nga presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Pjesë e delegacionit ishte edhe kryetarja e tashme e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Por, atyre nuk iu kishte shkuar në mend se lobimi do të përfundonte me këngë e valle para diktatorit tashmë të ndjerë të Libisë, Muammar Gaddafi. Madje, delegacioni i “valltarëve” nga Kosova u raportua se nuk guxonte t’ia kthente shpinën Gaddafit.

Këtë moment ia kujtoi Haradinaj, Kusar-Lilës, duke thënë se ai nuk di të kërcejë si ajo para Gaddafit.

“Unë nuk di me shku aq larg. Vallëzimin si kualitet s’e kam, besomë, por di me i respektu miqtë dhe i respektojë”, ka thënë ai.

Mimoza Kusari-Lila i tha Haradinajt se është për keqardhje sepse si kryeministër po tregon se çfarë niveli ka duke degraduar debatin. /Telegrafi/