Ballina Artikuj Hasen El-Benna

Hasen El-Benna

Imam Hasan El Bena (r.a) Ylli i thirrësve

Hasen El-Benna

(14 tetor 1906 – 12 shkurt1949)

Në përkujtim të vdekjes së tij, Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shejkh Muhamed El-Gazali, Allahu e mëshiroftë, thotë për të:

Ndjej kënaqësi, ndërkohë që e pohoj se unë jam prej nxënësve të Hasen El-Bennas, prej atyre që e deshën dhe prej atyre që mbartën me të peshën e rëndë të Thirrjes Islame.

E di, se kjo mund të më bëjë të urryer te shumë njerëz! Le të jetë, sepse kam mësuar prej këtij njeriu të madh, se: Besimtari kërkon vetëm kënaqësinë e Allahut, kërkon vetëm Lartmadhërinë e Tij dhe nuk e shpërndan kot dashurinë ndaj Tij, këtu e atje, duke mos arritur asgjë..!

– Unë jam njëri prej atyre, të cilët e shoqëruan, u edukuan dhe përfituan prej diturisë së tij.

Me titullin: “Unë jam nxënësi i Hasen El-Bennas”, ka shkruar:

– Kam qenë dhe akoma jam nxënës i Hasen El-Bennas; i kujtoj mësimet e tij, vizatoj hapat, përfitoj prej përvojës së tij dhe përgëzohem me lutjen e tij për mua dhe razinë e tij ndaj meje.

Vështrimi im ndaj këtij Imami Shehid (Martir): Ai është prej majave të fikhut islam dhe prej ndërtuesve të burrave të ymetit tonë të varfër. Madje, ai pa dyshim, është reformatori i shekullit të katërmbëdhjetë hixhri, dhe dëshmoj se ai, pas Allahut, ka meritën e parë të orientimit dhe të kulturimit tim.

– Ai, i cili shikon gjurmën e Hasen El-Bennas, në realitet dhe në zemrat e njerëzve, pothuajse nuk e beson se, këtë gjë e ka bërë një njeri i vetëm, që jetoi nga jeta dyzet e tre vjet; përveçse ka qenë i suksesshëm prej Allahut të Madhëruar dhe nën përkujdesjen e mbrojtjes hyjnore.

– Sa e sa njerëzve, Allahu ua hapi zemrat me Islamin dhe sa e sa zemra udhëzoi drejt Allahut; sa e sa mendje orientoi drejt të saktës; dhe sa e sa të penduar e deshën të vërtetën dhe u përkushtuan në rrugën e drejtë!

– Për turmat e njerëzve ishte një murmuritje e bezdisshme: Rroftë e qoftë filani; ata filluan të brohorisnin me Allahu Ekber, Elhamdulilah, Subhanellah! Intelektualë të shumtë fshiheshin prej Islamit dhe kishin turp që i përkisnin atij, por me të dëgjuar Hasen El-Bennan, u bënë të guximshëm me Islamin dhe kërkonin jetesën nën hijen e tij (Islamit).

Afërsisht gjatë njëzet viteve krijoi tërë këto turma të mëdha njerëzish, të cilët u bënë pritë për kolonizatorin kulturor dhe ushtarak dhe fryu shpirtin e jetës në trupin e vdekur!


Hoxhë Lavdrim Hamja