Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Rezallë të Skenderajt, në përkujtim të viktimave të masakrës së kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë masakër, më 5 prill të vitit 1999, u vranë 98 shqiptarë nga Rezalla dhe fshatrat përreth, ndërsa 44 prej tyre u zhdukën me qëllim fshehjen e krimit.
Me këtë rast, Haxhiu theksoi se krimet e kryera nga regjimi serb nuk do të harrohen dhe se institucionet do të angazhohen për drejtësi.
“Më 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skenderajt dhe në fshatrat përreth u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Atë ditë pra, më 5 prill të vitit 1999, djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorrën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë. Trupat e tyre i rrëmbyen dhe me trupat e tyre hapën varre masive në Serbi”, tha Haxhiu, raporton RTK.
Ajo tha se qëllimi i regjimit serb ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal.
“Por gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë. Ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre, por edhe në kujtesën tonë kolektive. Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi që të ketë drejtësi edhe për masakrën e Rezallës por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha Haxhiu.








