Haxhiu fton Prokurorin e Shtetit të veprojë ndaj abuzimeve me çmime

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër siç ka thënë, abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm dhe po dëmtojnë qytetarët e Kosovës.

Haxhiu këtë kërkesë e ka bërë pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të disa prej produkteve esenciale.

Sipas saj, kurdisja e çmimit është vepër penale e sanksionuar me burgim nga 1-5 vjet dhe dënim shtesë me gjobë.

“Ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare. Kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë. Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sanksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.