Haxhiu pas takimit me grupin ndërministror: Të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur pas takimeve me krerët e lartë të institucioneve të drejtësisë.

Haxhiu ka njoftuar se cilat çështje kanë dal nga këto takime, ku mes tjerash ajo ka theksuar ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje.

“Urgjentisht të bëhet nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrjen elektronike, të bëhet vlerësimi i saktë i rrezikshmërisë për secilin rast, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje, të analizohet si po bëhet pajisja me armë të ftohta, të adresohet çdo lëshim në procedurat e rregullta të dhunuesve, të avancohet politika ndëshkimore ”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, Haxhiu ka dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes të përdorur në rrjete sociale nga qytetarë të ndryshëm, për të cilën ka thënë se po nxit rritjen e numrit të rasteve të vrasjes.

Ajo duke kërkuar dënime maksimale, ka thënë se vrasësit e grave të pambrojtura e kanë strehë të vetme burgun.

“Për të gjithë ata individ që forcën e shpërfaqin mbi trupat e pambrojtura të grave, e duke i vrarë me paturpësi e vetmja strehë është burgu. Le te jenë institucionet tona në ndërgjegjësimin më të lartë që rastet e tilla të trajtohen me prioritet e seriozitet maksimal. Le të shqiptohen dënimet maksimale. Le të vuajnë dënimet meritore, sepse përderisa janë dhunues janë të padobishëm për shoqërinë”, ka thënë ajo në konferencën për medie.

Më tej, Haxhiu ka vlerësuar se armëmbajtja pa leje është bërë kërcënim serioz, ku si shkak i saj ajo përmendi se kanë ndodhur edhe dy vrasjet e fundit të grave.

“Armëmbajtja pa leje është tjetër kërcënim serioz. Do të shohim fuqizimin e të gjithë mekanizmave. Në dy rastet e fundit armëmbajtësit kanë pasur armë pa leje. Ky është kërcënim serioz që duhet të ketë veprime të duhura institucionale,”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, ky mobilizim i shtetit erdhi pasi sot është vrarë një grua në Pejë, ku dyshohet se dorasi ishte bashkëshorti, ndërsa kjo është vrasja e dytë brenda një jave që po ndodhë në vendin tonë, ku para pak ditësh edhe një 21-vjeçare në Ferizaj, u vra nga ish-bashkëshorti i saj.