Haziri thotë se gjasat janë të mëdha për koalicion: VV e udhëheq Qeverinë – LDK Kuvendin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se gjasat janë të mëdha që të hënën (03 shkurt 2020), Kosova ta ketë Qeverinë e re.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta udhëheq Qeverinë me kryeminstër Albin Kurtin; ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheq Kuvendin.

“Ne jemi duke punuar që negociatat të faktojnë që roli ynë në Kuvend dhe roli i VV-së në ekzekutiv me përfaqësim të barabartë t’i japë vendit stabilitet politik. Nuk është tejkaluar ende ky dallim”.

“Takimet nuk janë ndërprerë asnjëherë. Takime të paralajmëruara nuk ka ende, por në momentin që të konfirmohet takimi – sot dhe nesër – ne do të ju njoftojmë”.

“Unë shpresoj që deri të hënën nuk do të ndalen përpjekjet tona për ta arritur këtë qëllim. Nuk kemi kërkuar që të hiqet dorë as VV nuk ka kërkuar që ne të heqim dorë nga kërkesat dhe objektivat tona, por angazhimi ynë është që politikisht me qenë të balancuar në përfaqësim dhe ky është qëndrim politik”.

“Sigurisht që gjasat janë të mëdha që Kosova ta ketë ekzekutivin dhe përpjekjet nuk do të mungojnë. Ne gjithmonë po flasim për një ekzekutiv LDK-VV dhe një përfaqësim ku VV e udhëheq Qeverinë; ndërsa LDK e udhëheq Kuvendin, ky është angazhimi ynë i përbashkët”.