Hetimet për vdekjen e 24-vjeçarit në Prizren, Policia njofton për arrestimin e tre personave të dyshuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar rastin e vdekjes së një 24-vjeçari nga arma e zjarrit, në afërsi të fshatit Skorobisht të Prizrenit, dhe se lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se rasti në fjalë ka ndodhur në intervalin kohor ndërmjet orës 17:00 dhe 17:30.

“Në stacionin policor janë paraqitur dy persona meshkuj kosovarë, dhe të njëjtit kanë deklaruar se kanë shkuar në një zonë malore me viktimën, mashkull kosovar, për ta provuar një armë të cilën viktima do ta blinte nga njëri prej tyre. Dyshohet se viktima, pasi e ka marrë armën, ka shtënë tre herë në drejtim të tokës dhe më pas ka qëlluar veten në kokë”, thuhet në njoftim.

Njësitë relevante policore, prokurori dhe ekipi i balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, sipas Policisë, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku “është sekuestruar një pistoletë pa fishekë”.

Po ashtu, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar, meshkuj kosovarë, dhe të njëjtit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje. Rasti është në hetim”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.