Qeveria e Kosovës ka miratuar lehtësimin e masave antiCovid-19. Është hequr ora policore, ndërsa gastronomia do të lejohet të punojë deri në ora 23:00. Po ashtu është lejuar lëvizja pa maska gjatë ecjes për qytetarët që janë vet dhe në ambiente të jashtme.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri me dije se sipas raportit të IKSHPK-së, situata epidimiologjike me Covid-19 në Kosovë paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së numrit të rasteve pozitive.
Sipas tij, ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit krahasuar me dy javët paraprake shënon një rënie prej 67.08 për qind.
Vitia tha se në një situatë të tillë duke iu referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidiomologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së Qeveria cakton masa më të lehtësuara që të mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, por njëkohësisht synojnë edhe kontrollin e përhapjes së infeksionit.
MSh ka bashkërenduar vendimmarrjet me palët e interesit të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia.








