Hoti: Kujdes maksimal për ta përballuar valën e dytë të COVID-19

Kryeministri Adullah Hoti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes sa më shumë nga COVID-19 për shkak se Evropa sipas tij është përfshirë nga vala e dytë e kësaj pandemie, transmeton Klan Kosova.

Hoti deklaroi se institucionet e vendit po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale.

“1. SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.
2. Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione.
3. IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive.
4. Në shkolla ka kontroll të shtuar.
5. Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse.
6. Janë aktivizuar inspektoratet përkatëse për të mbikëqyrë zbatimin e masave.
7. Në baza të rregullta javore po koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në përballimin e situatës”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.