Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është një aleat i vlefshëm i NATO-s dhe një partner i afërt rajonal, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Hoxha ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Hoxha ka theksuar se gjatë bisedës janë riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke shtuar: “Për ne, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i vlefshëm i NATO-s dhe një partner i afërt rajonal”.
“Në përvjetorin e tragjedisë në Koçan, përsërita solidaritetin tonë dhe angazhimin e fortë të Shqipërisë për të qëndruar pranë institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në momentet që kërkojnë solidaritet, mbështetje të ndërsjellë dhe bashkëpunim më të fortë rajonal”, ka shkruar Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se gjatë bisedës kanë rënë dakord që “integrimi evropian i dy vendeve dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike” dhe sipas tij përfaqëson investimin më të mirë në stabilitet dhe siguri, si për rajonin ashtu edhe për Bashkimin Evropian.
“Ne gjithashtu riafirmuam rëndësinë e jashtëzakonshme të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gurthemeli i bashkëjetesës ndëretnike dhe stabilitetit institucional në vend. Në këtë drejtim, nënvizova rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin multietnik të vendit”, është shprehur ministri Hoxha.
Ministri Hoxha ka shtuar se kanë rënë dakord mbi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit për zbatimin e Korridorit 8, sipas tij një projekt kyç për lidhshmërinë dhe zhvillimin rajonal.

