Human Rights Watch (Organizata për të Drejtat e Njeriut) i ka bërë thirrje autoriteteve hungareze që të arrestojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai hyn në territorin e vendit, në prag të një vizite të planifikuar më 21 mars.
Sipas njoftimit, Netanyahu pritet të marrë pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator në Hungari, vetëm pak javë para zgjedhjeve kombëtare në Hungari të planifikuara për 12 prill.
Organizata thekson se Hungaria, pavarësisht njoftimit për tërheqje nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), mbetet ende shtet anëtar dhe është e detyruar ligjërisht të arrestojë personat për të cilët ka urdhër-arreste nga kjo gjykatë.
Më 21 nëntor 2024,Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza që nga tetori 2023.
Sipas rregullave të ICC-së, shtetet anëtare janë të detyruara të ndalojnë dhe të dorëzojnë personat ndaj të cilëve ekzistojnë këto urdhra nëse ata hyjnë në territorin e tyre.
HRW paralajmëroi se moszbatimi i këtij detyrimi nga Hungaria do të përforconte pandëshkueshmërinë për krime serioze dhe do të dëmtonte përpjekjet për drejtësi për viktimat palestineze. /mesazhi





