Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Humbi syrin në sulmin izraelit, e reja nga Gaza vazhdon të pikturojë...

Humbi syrin në sulmin izraelit, e reja nga Gaza vazhdon të pikturojë pavarësisht aftësisë së kufizuar

Erij es-Seafin (26), e cila humbi syrin në një sulm në vitin 2024 në Kampin e Refugjatëve Al-Bureij në Rripin qendror të Gazës, vazhdon të pikturojë, pasionin e saj më të madh, pavarësisht vështirësive.

Jeta e Seafin u shndërrua në një makth në tetor 2024, kur një predhë e goditi ndërsa po përpiqej të largohej nga Kampi i Refugjatëve Al-Bureij. Seafin, e cila kishte qenë e interesuar për pikturën që në moshë të re, humbi lidhjen me ngjyrat kur humbi syrin e djathtë në sulm. Përveç lëndimit fizik që pësoi, ajo ra në një depresion të thellë psikologjik që i errësoi jetën dhe ëndrrat në një moshë të re.

Meqenëse trauma që përjetoi ishte ende shumë e freskët, Seafin nuk mund t’i përkushtohej më me pasion pikturës, të cilën e konsideronte pjesë të jetës së saj, por ajo vazhdoi.

Ajo humbi syrin dhe vëllanë në sulm

Seafin rrëfeu për Anadolu ndryshimet fizike e psikologjike dhe vuajtjet që përjetoi pas sulmit pranë shtëpisë së saj. Duke thënë se u plagos së bashku me nënën e saj në sulm dhe se i vëllai humbi jetën, ajo deklaroi se ishte plagosur aq rëndë sa nuk mundi të merrte pjesë as në xhenazen e të vëllait.

Ende e tronditur kur përmend emrin e vëllait të saj, Seafin shprehu se pamundësia për t’i thënë lamtumirë i mbetet një keqardhje e thellë. Seafin, e cila tha se ishte pa ndjenja për katër ditë pas sulmit, shtoi: “Nuk isha në dijeni të dëmtimit të syrit tim. Gruaja e vëllait tim ishte me mua dhe më tha se kisha gjakderdhje në zorrën e hollë, në tru dhe në sy. Ajo tha se mjekët hoqën një pjesë të zorrëve të mia për të ndaluar gjakderdhjen dhe se syri im u hoq (enukleacion) për të ndaluar gjakderdhjen e shkaktuar nga shrapneli”.

Ëndrra që ishte shndërruar në një makth të vërtetë

Seafin shpjegoi se ajo që ndodhi i dukej si një ëndërr që u kthye në makth të vërtetë. “Pashë një ëndërr. Isha në tokë, qielli ishte i zi. Kuadkopterët (dronët e ushtrisë izraelite) qëllonin me plumba dhe jashtë binte shi. Në fakt, po e jetoj këtë ëndërr në jetën reale. Jeta ime u errësua pas kësaj ëndrre. Kur humba syrin e djathtë, humba edhe një pjesë të vetes. Fillova të kisha probleme me përqendrimin dhe nuk mund të pikturoja si më parë”, tha ajo.