Huthit në Jemen: Goditëm dy objektiva ushtarake në Izrael

Huthit pretendojnë se dy objektiva ushtarake në Jaffa të Izraelit u goditën me raketa balistike, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree në deklaratën e tij tha se në sulmin e kryer nga forcat e tyre ushtarake janë përdorur raketat balistike të tipit “Palestine 2”.

Ai theksoi se ata shënjestruan “me sukses” dy pika ushtarake në qytetin e Jaffas.

“Operacionet tona nuk do të ndalen derisa Izraeli nuk ndalon sulmin në Gaza dhe të heq bllokadën”, tha zëdhënësi Saree.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në postimin në llogarinë e tij në rrjetet sociale X, tha se avionët luftarakë izraelitë bombarduan brendësinë e Jemenit dhe rajonin bregdetar perëndimor.

Në deklaratën e bërë sot nga Huthit, bëhet e ditur se 9 jemenas humbën jetën në sulmet e ushtrisë izraelite në Sana dhe provincën Al-Hudaydah në bregun e Detit të Kuq.