I dyshuari për vrasjen e ish-gruas së tij arrin në Gjykatën Themelore në Ferizaj

V.A i dyshuari për vrasjen e ish-gruas së tij ka arritur në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Ai do të dalë para trupit gjykues, transmeton Telegrafi.

V.A 36-vjeçari dyshohet se ditën e premte rreth orës 14:00, ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, 21-vjeçare si dhe ka plagosur vëllain e saj, 15-vjeçar.

Ngjarja e rëndë tragjike ka ndodhur derisa ata ndodheshin në objektin e Qendrës për Punë Sociale.

Sipas informacioneve të deritanishme thuhet se viktima dhe i dyshuari për vrasjen e saj kanë qenë në një proces divorci, dhe se takimet në Qendrën për Punë Sociale i kanë zhvilluar për kujdestarinë e foshnjës së tyre, rreth nëntëmuajsh.

Vrasja e gruas u dënua ashpër nga udhëheqësit e vendit, kryetari i Ferizajt dhe nga shoqëria civile, të cilët edhe kërkuan dënimin meritor për dorasin.

Vrasjet e grave nga burrat kanë shënuar rritje viteve të fundit, ku së fundi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se përkundër angazhimeve të tyre, gratë ende nuk janë të sigurta.