Ballina Lajmet Kosovë I jep fund parullës “rroga e vogël, fitimi i madh”, Kurti: Projektligji...

I jep fund parullës “rroga e vogël, fitimi i madh”, Kurti: Projektligji për Byronë ka trazuar shumëkë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se miratimi në parim i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë në vend.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti theksoi se ligji duhet të kalojë edhe leximin e dytë në Kuvend, pavarësisht kundërshtimeve që, sipas tij, kanë qenë të shumta që nga fillimi.

Ai u shpreh se projektligji ka nxitur reagime të forta, përfshirë edhe ankesa në Gjykatën Kushtetuese, por nënvizoi se ekzekutivi nuk do të tërhiqet nga ky zotim.

“E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkë, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjella si ankesa në Gjykatën Kushtetuese, vazhdojnë të jenë ende të mëdha, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim, byroja do të bëhet dhe do t’i vijë fundi parullës ‘rroga e vogël, fitimi i madh’”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri shtoi se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme nuk mund të konsiderohet as private dhe as legjitime.

Projektligji është miratuar në parim të premten me 81 vota pro, ndërsa vërejtje për përmbajtjen e tij kanë shprehur deputetët e PDK-së dhe LDK-së, të cilët kanë kërkuar rishikim të disa dispozitave.