Ballina Lajmet Rajon dhe Botë I kthjellti Sanchez: Kjo luftë, shumë herë më e keqe se ajo...

I kthjellti Sanchez: Kjo luftë, shumë herë më e keqe se ajo në Irak!

Lideri spanjoll, i vetmi nga evropianët që ia përplas Trump-it të vërtetën në sy

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ka paralajmëruar se konflikti aktual në Lindjen e Mesme është shumë më i rëndë dhe me pasoja më të gjera sesa lufta e Irakut në vitin 2003.

Duke folur para parlamentit vendas, ai e përshkroi situatën si një “katastrofë shumë më të keqe”, duke theksuar se Irani është një fuqi ushtarake e përgatitur për dekada me kapacitete të avancuara që e bëjnë konfliktin shumë më të rrezikshëm për stabilitetin global.

Sanchez kujtoi se lufta në Irak shkaktoi rreth 300.000 viktima dhe zhvendosi mbi 5 milionë njerëz, por sipas tij, skenari aktual është më i rëndë sepse Irani është një vend dy herë më i populluar se Iraku, pesë herë më i rëndësishëm ekonomikisht dhe zotëron më shumë ushtarë të rregullt sesa Gjermania, Franca dhe Italia së bashku.

Ai theksoi se Irani ka aftësi të lëshojë raketa balistike deri në 4.000 kilometra larg dhe kontrollon Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë e energjisë, pavarësisht pranisë së flotës amerikane.

Madridi ka refuzuar t’u japë Shteteve të Bashkuara leje për të përdorur bazat ushtarake në Moron dhe Rota për sulme ndaj Iranit, duke sfiduar presionin e Uashingtonit që ka kërcënuar me ndërprerje tregtare.

Sanchez akuzoi administratën amerikane se ka hedhur poshtë mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin, duke nisur bombardimet pa paralajmërim dhe pa një bazë ligjore.

Ai tha se sulmet kanë goditur mbi 3.000 objektiva, kanë shkatërruar 40.000 shtëpi, spitale, shkolla dhe infrastrukturë energjetike që prodhon 20 për qind të gazit botëror, duke vrarë të paktën 2.000 njerëz dhe zhvendosur qindra mijëra.

Sipas tij, pasojat do të ndihen për vite të tëra në popullsi dhe ekonomi. Kryeministri ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhë më tej në Lindjen e Mesme, duke pranuar se askush nuk e di me siguri, përveç presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka spekuluar se ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur dhe se lufta mund të zgjasë për muaj apo vite.

Sanchez paralajmëroi se makthi i Irakut mund të përsëritet, këtë herë i shumëfishuar, dhe siguroi se qeveria spanjolle do të punojë për të mbrojtur qytetarët e saj nga pasojat e konfliktit.

Ai u shpreh se Spanja nuk do të jetë bashkëpunëtore në një agresion të paligjshëm apo në gënjeshtra të maskuara si të vërteta. Lidhur me kritikat e Shteteve të Bashkuara për qëndrimin e saj, Sanchez tha se të jesh aleat nuk do të thotë të ndjekësh verbërisht, por të thuash të vërtetën.

“E vërteta është se kjo luftë është një gabim i madh!” – deklaroi ai, duke e pozicionuar Spanjën si një zë kritik ndaj ndërhyrjes ushtarake dhe duke kërkuar një qasje më të përgjegjshme e të bazuar në diplomaci.

Ky qëndrim i Sanchez e vendos Spanjën në një pozicion të veçantë brenda aleancës perëndimore, duke sfiduar narrativën e Uashingtonit dhe duke paralajmëruar për rreziqet e një konflikti që mund të destabilizojë jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe ekonominë globale.

Me një ton të kthjellët dhe kritik, ai e ka bërë të qartë se lufta aktuale nuk është thjesht një përsëritje e Irakut, por një krizë shumë më e thellë, me pasoja të paparashikueshme për botën. /tesheshi