IFRC: Rreth 18 milionë njerëz në Ukrainë mund të bëhen nevojtarë për ndihmë humanitare

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe paralajmëroi se sistemi shëndetësor është ndikuar negativisht nga lufta dhe se kjo situatë mund të krijojë “kriza të rënda shëndetësore”

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) tha se parashikohet që 18 milionë njerëz të bëhen nevojtarë për ndihmë për shkak të luftimeve në Ukrainë, ku vazhdojnë sulmet e Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, IFRC paralajmëroi se sistemi shëndetësor është ndikuar negativisht nga lufta dhe se kjo situatë mund të krijojë “kriza të rënda shëndetësore”, duke përfshirë rritjen e përhapjes së pandemisë COVID-19 në vend.

Në deklaratë thuhet se 2,3 milionë njerëz janë strehuar në vendet fqinje pas konflikteve që kanë zgjatur tashmë dy javë, dhe se rreth 18 milionë njerëz, që përkon me një të tretën e popullsisë së vendit, vlerësohet se do të kenë nevojë për ndihma humanitare.

IFRC tërhoqi vëmendjen edhe për kushtet joadekuate higjienike të strehimoreve ku janë vendosur civilët që ikin nga sulmet e Rusisë, duke thënë se epidemitë, përfshirë edhe COVID-19, mund të përhapen lehtësisht në këto mjedise.

Po ashtu theksohet se rënia e temperaturës së ajrit në gjithë vendin e ka rënduar situatën aktuale të krizës, dhe se ka nevojë urgjente për veshje të ngrohta dhe strehimore termoizoluese, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.

Birgitte Bischoff Ebbesen, Drejtoresha Rajonale e IFRC-së për Evropën, ka thënë se shumë ukrainas janë bërë të pambrojtur për shkak të konflikteve.

“Përveç ushqimit, ujit dhe strehimoreve, duhet të merren masa mbrojtëse për të parandaluar një krizë më të madhe humanitare, duke përfshirë shërbimet shëndetësore emergjente, mbështetjen psikologjike dhe të tjera”, ka deklaruar Ebbesen.

Ebbesen ka theksuar gjithashtu se ekipet e IFRC-së do të vazhdojnë të punojnë për të ofruar ndihma humanitare për civilët në Ukrainë dhe vendet fqinje. /aa