IKSHPK lut qytetarët: Vaksinonuni! Parandalon shtrirjen në spital dhe vdekjen

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka lëshuar thirrje sërish për vaksinim.

IKSHPK me anë të një komunikate ka thënë se personat e pa-vaksinuar janë brenga më e madhe, dhe se procesi i vaksinimit shpëton jetë, shkruan lajmi.net.

Tutje, instituti ka thënë se vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike, shkruan lajmi.net.

Përveç kësaj, vaksinimi shpëton jetë sipas IKSHPK-së, duke parandaluar komplikimet e rënda që kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.

Thirrja e plotë e IKSHPK-së:

Qytetarë të dashur!

Ju lutemi: Vaksinohuni!

Vaksinimi kundër COVID-19 shpëton jetë!

Personat e pa vaksinuar janë brenga jonë më e madhe!

Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19!

Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar!

Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.

Vaksinohuni ju dhe të afërmit tuaj!

Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.

Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.

Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe.

Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.

Qytetarë të dashur!

Vaksinohuni!

Me vaksinë mbroni veten, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër COVID-19.

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Respektoni distancën!

Mbani higjienën!.