Ilaçi Regkirona dhe dozat e treta të vaksinës: Dy vendimet me rëndësi që mori EMA sot

Agjencia Europiane e Barnave ka dhënë dritën jeshile për dozën e tretë të vaksinës Pfizer për moshat mbi 18 vjeç.

Sipas EMA, personat me imunitet të dobët do mund të marrin dozën tre të vaksinës Pfizer dhe Moderna të paktën 28 ditë pas dozës së dytë. Vendimi vjen pasi disa shtete të Europës e kanë nisur tashmë fushatën, pas vlerësimeve se doza shtesë rrit aftësinë për të prodhuar antitrupa kundër Covid, tek pacientët me sistem të dobët imunitar dhe tek ata që kanë kryer transplan organesh.

EMA mori sot një tjetër vendim të rëndësishëm, duke njoftuar se ka filluar vlerësimin mbi aplikimin testues të antitrupave monoklonal Regkirona (Regdanvimab, i njohur gjithashtu si CT-P59) për të trajtuar të rriturit me COVID-19 të cilët nuk kërkojnë terapi shtesë me oksigjen dhe të cilët janë në rrezik të shtuar të sëmundjes rëndë ndaj Covid.

Aplikuesi është Celltrion Healthcare Hungari, pjesë e Celltrion Healthcare të Koresë së Jugut. EMA do vlerësojë përfitimet dhe rreziqet e Regkirona nën një afat kohor të reduktuar dhe mund të japë një opinion brenda dy muajsh, në varësi të të dhënave të paraqitura. Një periudhë kaq e shkurtër kohore mund të jetë e pranueshme për të dhënë opinione, pasi EMA tashmë ka rishikuar disa të dhëna mbi ilaçin. /tiranapost