Gjatë përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut që ditëve të fundit përfshinë lindjen dhe verilindjen e Indisë kanë humbur jetën së paku 174 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët thonë se gjatë përmbytjeve në Bihar për vdekje kanë pësuar 106 persona ndërsa në Assam 68 persona.
Më tej thuhet se përmbytjet kanë prekur mbi 8 milionë persona ndërsa në Assam rreth 3 milionë. Zyrtarët konfirmuan se është përmbytur mbi 90 për qind e Parkut Kombëtar Kaziranga, në Assam, në të cilin janë mbytur më shumë se 200 kafshë, mes tyre një elefant dhe katër rinoçerontë.
Theksohet se më shumë se 100 mijë persona nga Assami janë në kampe.
Rrëshqitjet e tokës në Meghalaya shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale për infrastrukturën rrugore dhe objektet, ndërsa për shkak të përmbytjeve të lumit në Mizoram janë përmbytur 32 fshatra, nga të cilat u evakuuan të paktën 1.000 familje.





