India mbyll një kolegj mjekësor në Kashmir pas protestave kundër pranimit të studentëve myslimanë

Autoritetet indiane kanë mbyllur një kolegj mjekësor në Kashmirin e administruar nga India, pas protestave të grupeve hindu të krahut të djathtë kundër faktit që shumica dërrmuese e studentëve të pranuar ishin myslimanë. Vendimi shihet gjerësisht si një dorëzim përballë presionit politik dhe fetar.

Komisioni Kombëtar i Mjekësisë (NMC), autoriteti federal që rregullon arsimin dhe praktikat mjekësore në Indi, më 6 janar ia hoqi njohjen Institutit Mjekësor Shri Mata Vaishno Devi (SMVDMI), i vendosur në distriktin malor Reasi, në Jammu. Nga 50 studentët e regjistruar në programin pesëvjeçar të mjekësisë (MBBS), 42 ishin myslimanë – shumica nga Kashmiri – shtatë hindu dhe një sikh. Kjo ishte gjenerata e parë e studentëve të këtij kolegji privat, i themeluar nga një fondacion fetar hindu dhe pjesërisht i financuar nga shteti.

Pranimet në kolegjet mjekësore në Indi, si publike ashtu edhe private, bëhen përmes një provimi kombëtar të centralizuar, NEET, ku çdo vit marrin pjesë mbi dy milionë kandidatë për rreth 120 mijë vende studimi. Përzgjedhja bazohet në meritë dhe nuk parashikon kritere fetare.

Megjithatë, sapo u bë e ditur përbërja fetare e gjeneratës së parë, grupe lokale hindu nisën protesta, duke kërkuar anulimin e pranimit të studentëve myslimanë. Ata argumentuan se, pasi kolegji financohet kryesisht nga donacionet e besimtarëve në Tempullin Mata Vaishno Devi, studentët myslimanë “nuk kishin vend aty”. Protestat u intensifikuan për javë të tëra dhe kërkesat përfunduan në thirrje për mbylljen e vetë kolegjit.

Në kulmin e presionit, NMC njoftoi se po e tërhiqte autorizimin e kolegjit, duke përmendur mangësi serioze në stafin pedagogjik, infrastrukturë, fluks pacientësh dhe ambiente mësimore. Një ditë më pas u tërhoq edhe “leja e funksionimit”, duke detyruar mbylljen e institucionit.

Studentët dhe prindërit e tyre e kundërshtojnë këtë arsyetim. Ata thonë se kolegji ishte i pajisur mirë dhe se brenda kampusit nuk kishte ndarje fetare. Analistë politikë kanë vënë në dyshim vendimin e NMC-së, duke pyetur se si mund të shfaqeshin papritur këto “mangësi” pasi kolegji kishte marrë më herët miratimin zyrtar.

Ndërkohë, studentët janë kthyer në shtëpi, të pasigurt për të ardhmen e tyre. Kryeministri i Kashmirit të administruar nga India, Omar Abdullah, ka premtuar se asnjë student nuk do të penalizohet dhe se të gjithë do të sistemohen në kolegje të tjera mjekësore në rajon, përmes vendeve shtesë.

Abdullah dhe përfaqësues të tjerë rajonalë kanë dënuar fushatën kundër studentëve myslimanë, duke e cilësuar si një përpjekje për të shndërruar arsimin në çështje fetare. “Këta studentë fituan vendet e tyre me meritë. U është shkatërruar e ardhmja vetëm për shkak të identitetit të tyre,” deklaroi ai.

Organizatat studentore paralajmërojnë se ky rast rrezikon të “komunalizojë” sektorin e arsimit në Kashmir dhe më gjerë në Indi. Për shumë studentë të prekur, si 18-vjeçarja Saniya nga Baramulla, vendimi ka qenë shkatërrues. “E fitova vendin tim me një nga provimet më të vështira në Indi,” tha ajo. “Tani gjithçka u shemb. Meritën tonë e kthyen në fe.” /mesazhi