Interesat ekonomike që peshojnë më shumë se kolapsi i një shteti dhe tragjedia njerëzore
Izraeli synon të zbatojë në Liban skenarin e Gazës përmes një strategjie të mirëmenduar që kërkon ndarjen e vendit në tre zona kontrolli.
Tel Avivi po përpiqet ta ndajë Libanin jugor në zona të shumta si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me Bejrutin, duke përfshirë krijimin e një zone tampon që synon çarmatosjen e Hezbollahut, edhe pse Libani shtyn për një armëpushim të menjëhershëm.
Libani dhe Izraeli ranë dakord të fillojnë negociatat pas një takimi fillestar në Uashington të martën, një zhvillim i rrallë midis dy palëve, të cilat teknikisht kanë qenë në luftë për dekada të tëra.
Por të dyja vendet kanë prioritete krejtësisht të ndryshme. Libani po bën presion për një armëpushim dhe rikthimin në shtëpitë e tyre të rreth një milion personave të zhvendosur, ndërsa Izraeli po kërkon çarmatimin e plotë të Hezbollahut.
Zyrtarët izraelitë kanë sinjalizuar se do të vazhdojnë të sulmojnë Libanin dhe nuk do të tërhiqen nga jugu, i cili mbetet nën pushtim, derisa grupi i mbështetur nga Irani të shpërbëhet. Ata argumentojnë se një zonë tampon disa kilometra e thellë është e nevojshme për të siguruar kufirin verior të Izraelit.
Aktualisht forcat izraelite kontrollojnë pjesë të mëdha të kufirit në Libanin jugor, duke përparuar më tej në brendësi të vendit mes përleshjeve të vazhdueshme me Hezbollahun.
Sipas raportimeve në mediat izraelite, ish-ministri izraelit Ron Dermer paraqiti një propozim që do ta ndante Libanin në tre zona, duke forcuar një prani të zgjatur ushtarake izraelite në disa pjesë të jugut.
Sipas planit, zona e parë do të shihte forcat izraelite të ruanin kontrollin deri në rreth tetë kilometra në thellësi të kufirit, me baza dhe një prani të madhe trupash për një periudhë të zgjatur, duke formalizuar në mënyrë efektive një zonë tampon brenda territorit libanez.
Në zonën e dytë, që shtrihet nga kjo vijë deri në lumin Litani, forcat izraelite do të vazhdonin atë që Dermer e përshkroi si operacione “spastrimi” kundër luftëtarëve dhe infrastrukturës së Hezbollahut.
Ndërkohë zona e tretë, në veri të lumit Litani, do të mbulonte pjesën tjetër të Libanit, ku përgjegjësia për çarmatosjen e Hezbollahut do t’i binte ushtrisë libaneze.
Ky propozim pasqyron qasjen e Izraelit në Gaza, ku vazhdon të pushtojë pjesë të mëdha të territorit, ndërkohë që e ndan atë në zona dhe i bën presion grupeve të armatosura të çarmatosen.
Hezbollahu ka refuzuar vazhdimisht çdo dorëzim të armëve të tij përpara se Izraeli të ndalojë sulmet e tij, të tërhiqet nga jugu dhe civilët e zhvendosur të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi.
Izraeli e kishte pushtuar Libanin Jugor edhe midis viteve 1982-2000. Është tejet shqetësues fakti që ky plan i rrezikshëm fragmentimi dhe pushtimi nuk po merr vëmendjen e duhur në kancelaritë perëndimore.
Jemi dëshmitarë të një realiteti ku SHBA është radikalizuar në ekstrem dhe ndjek verbërisht axhendën e Netanyahut, duke i dhënë dorë të lirë çdo lëvizjeje ushtarake, ndërsa Evropa është tërësisht e distancuar javët e fundit nga çdo gjë që ka të bëjë me konfliktin dhe situatën në Lindjen e Mesme.
Ky pasivitet evropian, po kufizohet vetëm në mbrojtjen e interesave ekonomike dhe po lejon krijimin e një krize të pakthyeshme humanitare dhe gjeopolitike. /tesheshi







