Indonezia ndalon të gjitha shurupet pas vdekjes së afro 100 fëmijëve

Vdekja e afërsisht 100 fëmijë në Indonezi e kanë shtyrë këtë shtet që të suspendojë shitjet e të gjithë shurupeve dhe medikamenteve të lëngshme.

Vendimi ka ardhur vetëm disa javë pasi një shurup kundër gripit në Gambia ishte i lidhur me vdekjen e afërsisht 70 fëmijëve, raportoi BBC-ja të enjten.

Indonezia ka deklaruar se në disa shurup janë gjetur përbërës që lidhen me lëndimet e veshkave e që kanë mbytur 99 fëmijë këtë vit.

Nuk dihet ende nëse medikamenti ishte importuar apo prodhuar lokalisht.

Të enjten, autoritetet shëndetësore indoneziane kanë thënë se kanë raportuar për rreth 200 raste të lëndimeve të veshkave te fëmijët, shumica prej të cilëve ishin nën 5 vjeç.

Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi ​​një alarm global mbi katër shurupe të kollës që ishin të lidhura me vdekjen e pothuajse 70 fëmijëve në Gambia.

OBSH-ja zbuloi se shurupet e përdorura atje – të prodhuara nga një kompani farmaceutike indiane, përmbanin “sasi të papranueshme” të dietilen glikolit dhe etilen glikolit.

“Shurupet kanë qenë të lidhura potencialisht me lëndime akute të veshkave”, tha organizata.

Ministri i Shëndetësisë i Indonezisë të enjten tha se të njëjtat përbërje kimike u gjetën edhe në disa ilaçe të përdorura në vend.

“Disa shurupe që janë përdorur nga pacientët fëmijë nën pesë vjeç, janë vërtetuar se përmbajnë etilen glikol dhe dietilen glikol që nuk supozohej të ishin aty, ose në sasi shumë të vogël”, tha Budi Gunadi Sadikin.